Një 43-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se ka kryer ndërtime pa leje dhe ka ndotur lumin e Tiranës duke hedhur mbetje ndërtimi. Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Bazamenti”, që synon goditjen e krimeve kundër mjedisit.
Sipas verifikimeve, shtetasi kishte ndërtuar pa leje një kapanon dhe kishte nisur punimet për ndërtimin e një objekti tjetër, gjithashtu pa leje. Gjatë hetimeve u konstatua se mbetjet inerte nga punimet e ndërtimit shkarkoheshin drejtpërdrejt në lumin e Tiranës, duke shkaktuar ndotje të mjedisit.
Rasti u evidentua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 gjatë kontrolleve të zhvilluara në territorin e qarkut Tiranë, kryesisht në zona pranë sipërfaqeve ujore, ku ka rrezik për ndotje apo shfrytëzim të paligjshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa kontrollet për parandalimin e krimeve mjedisore vijojnë.