Ndërtesa 47 katëshe përballë ambasadës, jepet leja e dyshimtë pas ndryshimeve misterioze të pronësisë

Projekti i kullës 47-katëshe përballë ambasadës amerikane përfshin ndryshime të papritura të pronësisë që ngre dyshime për përfitime milionëshe dhe manipulime financiare të fshehta.

Në një nga zonat më të sigurta dhe të mbikëqyrura në Tiranë, përballë ambasadës së SHBA-së, po planifikohet ngritja e kullës së quajtur “Embassy Tower”, një ndërtesë 47-katëshe që premton të ndryshojë peizazhin urban. Megjithatë, pas lejeve të miratuara, ka dalë në dritë një histori e errët me ndërrime të papritura pronësie dhe ndërtime të dyfishta që ngjallin shqetësime për legalitetin dhe qëllimet reale të projektit.

Sipas dokumenteve të siguruara, fillimisht leja e zhvillimit iu dha kompanisë “Hanxhari Group” nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU), në mbledhjen e 28 janarit 2025. Por, vetëm pesë muaj më vonë, më 4 qershor, pa ndonjë njoftim publik apo transparencë, KKTU miratoi lejen për të njëjtën kullë, këtë herë me zhvillues të ndryshëm: kompaninë Invest Society Sh.p.k.

Kjo kompani ka në pronësi aksionerë të ndryshëm, ku Dajlan Avdina zotëron 75% të aksioneve, Glendi Abvi 20%, dhe Edison Hatellari 5%. Ndërsa në publik projekti paraqitet si i njëjtë, ndryshimi i beftë i pronësisë ngre dyshime të forta për shitje milionëshe të projektit, shmangie të detyrimeve fiskale dhe përfshirje në pastrim parash përmes një ndërtimi luksoz në një zonë strategjike dhe shumë të mbikëqyrur.

Pozicioni i kullës përballë ambasadës amerikane, në një prej zonave më elitare të Tiranës, i jep projektit jo vetëm vlerë të madhe ekonomike, por edhe siguri të lartë, duke e bërë atë një mundësi të favorshme për investime me origjinë të dyshimtë, të fshehta pas një fasade legjitime.

Kjo ndryshim i papritur i zhvilluesit ngre pyetjen: A është ky një skenar i planifikuar për të përfituar nga sistemi i lejeve të shumëfishta në Shqipëri? Ky mekanizëm, që praktikohet në heshtje, duket se legalizon shitjen e licencave të ndërtimit si mall në treg, duke krijuar hapësira për manipulime dhe përfitime personale në kurriz të ligjit dhe interesit publik.

Ndaj Postimin: