Ndërron jetë në Tiranë vajza e futbollistit të KF Tiranës Freddy Alvarez, shtyhet ndeshja me Flamurtarin

Klubi i Futbollit Tirana ka njoftuar se vajza e mitur e futbollistit Freddy Alvarez ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të së premtes në Tiranë. Klubi bëri të ditur se qëndron pranë futbollistit dhe familjes së tij në këtë moment të rëndë.

Sipas dyshimeve të para të Policisë, e mitura dyshohet se është rrëzuar nga krevati dykatësh, duke pësuar dëmtime të rënda. Prindërit e kanë gjetur fëmijën me shenja jete dhe e kanë dërguar me urgjencë në spital, por ajo nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Në një reagim zyrtar, KF Tirana shprehu ngushëllimet për familjen e futbollistit, duke theksuar se i gjithë klubi ndodhet në zi pas kësaj humbjeje tragjike.

Si pasojë e ngjarjes, ndeshja e Superligës mes KF Tiranës dhe Flamurtarit, e planifikuar për t’u zhvilluar sot në orën 13:30, është shtyrë për ditën e nesërme, në të njëjtën orë, me mirëkuptimin e të dy klubeve.

Edhe Federata Shqiptare e Futbollit ka shprehur ngushëllimet për Freddy Alvarez dhe familjen e tij, duke konfirmuar zyrtarisht shtyrjen e ndeshjes. Federata bëri të ditur se qëndron pranë futbollistit dhe klubit të Tiranës në këtë moment zie.

Freddy Alvarez, 30 vjeç, u bashkua me KF Tiranën gjatë merkatos së janarit dhe ka zhvilluar tre ndeshje me fanellën bardheblu në Superligë dhe Kupën e Shqipërisë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033