Muzika dhe kultura e Fierit humbën një nga figura më të shquara, Vasillaq Zahariun, i cili ndërron jetë më 18 mars 2025, pas një problemi me zemrën. Vasillaqi, një njeri i pasionuar pas artit dhe muzikës, ka lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme që ka ndikuar në shumë breza të rinj në qytetin e Fierit dhe më gjerë. Ai u nda nga jeta, duke lënë në pikëllim të thellë bashkëshorten Irini, djemtë dhe miqtë e afërt. Drejtoria e Artit dhe Kulturës i shpreh ngushëllimet e saj familjes dhe të afërmëve të tij.
Vasillaq Zahariu lindi më 5 maj 1938 në qytetin e Fierit, ku nisi dhe formimin e tij shkollor. Pas përfundimit të shkollës fillore në Rrëzez të Patosit në vitin 1945, ai ndoqi studimet e mesme në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku u specializua në “Teori Muzike”. Vazhdimi i studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, në degën e Kulturës, e forcoi më tej pasionin e tij për muzikën dhe artin.
Vasillaqi e nisi karrierën e tij profesionale në vitin 1969, kur u emërua drejtor i Shtëpisë së Pionierit “Llambi Bego” në Fier, dhe më pas në vitin 1971, ai u bë drejtor i Shtëpisë së Kulturës në këtë qytet. Ai ishte i pari specialist i kulturës në Fier që kishte një arsim të lartë dhe kontribuoi në zhvillimin e lëvizjes artistike në qytet, duke krijuar mundësi për të rinjtë të mësonin instrumente të ndryshme muzikore, si kitarë, mandolinë, fisarmonikë, klarinetë, etj.
Një nga përpjekjet më të mëdha të Vasillaqit ishte krijimi i orkestrës frymore (Banda e qytetit), e cila do të bëhej një nga shtyllat e kulturës muzikore të Fierit. Ai ishte gjithashtu një muzikant i talentuar, duke luajtur në kitarë, mandolinë, kontrabas dhe fisarmonikë. Nën drejtimin e tij, Ansambli i këngëve dhe valleve fierake u ringrit dhe mori pjesë në konkurset kombëtare të ansambleve popullore të rretheve.
Në vitin 1974, Vasillaqi mori rolin e udhëheqësit artistik të Shkollës së Mesme Bujqësore “Rakip Kryeziu”, ku kontribuoi në zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe muzikore të shkollës, duke fituar shpesh çmime në festivale të ndryshme. Ai ishte gjithashtu pjesëmarrës aktiv në Estradën profesionale të Fierit, ku luajti instrumentin e kitarës bas dhe kontrabasit.
Pas ndryshimit të sistemit në Shqipëri, Vasillaqi emigroi së bashku me familjen në Greqi dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vazhdoi të kontribuonte në muzikën dhe artin e diasporës shqiptare.
Në këtë ditë të trishtë, qyteti i Fierit dhe e gjithë Shqipëria i thonë lamtumirë një prej personaliteteve më të shquara të muzikës dhe kulturës, Vasillaq Zahariut. T’i ndrijë shpirti në parajsë!