Ndërron jetë Gjokë Malçi, misionar i pajtimit të gjaqeve në Kurbin.

Sot ndërroi jetë Gjokë Malçi, 79 vjeç, nga fshati Skuraj i Kurbinit kryetar i Shoqatës së Pajtimit të Gjaqeve të rrethit Kurbin dhe një ndër figurat më të shquara të misionit të pajtimit në rajonin e Lezhës dhe më gjerë. Shkak i vdekjes ishte një infarkt kardiak.

Me vdekjen e tij, Kurbini dhe e gjithë hapësira shqiptare humbet një burrë të besës një njeri që gjithë jetën e shtriu dorën e pajtimit mes familjeve të armiqësuara, duke shpëtuar jetë njerëzish dhe duke mbyllur plagë të thella shoqërore.

Malçi vinte nga një familje me rrënjë të thella historike në Skuraj një fshat ku tradita e besës dhe e ndërmjetësimit ka shekuj histori. Sipas gojëdhënave të zonës, paraardhësi i familjes, Kokë Malçi, është përmendur si një burrë i urtë i kohës së Gjergj Kastriotit, figurë e respektuar në trojet e Kurbinit. Gjokë Malçi e mbajti gjallë këtë trashëgimi të thellë, duke e kthyer misionin e pajtimit në thirrjen e jetës së tij.
Misioni i Pajtimit të Gjaqeve të Kurbinit, i themeluar në vitin 1991 dhe i drejtuar gjatë gjithë ekzistencës së tij nga Gjokë Malçi, lë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme: gjatë 35 viteve të veprimtarisë, ky mision ka realizuar 500 pajtime hasmërish dhe ka zgjidhur 5.400 raste konfliktesh që mund të përfundonin tragjike.

Misionarët e pajtimit të gjaqeve në Kurbin e shtrinë aktivitetin e tyre në çdo fshat të rrethit dhe, falë punës së tyre, në Kurbin sot nuk rezulton i ngujuar asnjë fëmijë apo grua një arritje e rrallë dhe e paçmueshme. Kjo është merita e veçantë e Gjokë Malçit, i cili gjeti gjithmonë gjuhën e mirëkuptimit atje ku të tjerët shihnin vetëm urrejtje.
Familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij e kujtojnë si njeri të qetë, të vendosur dhe të padepërtueshëm nga presionet cilësi që e bënë ndërmjetësin ideal në situatat më të ndërlikuara dhe më të ndjeshme. Lamtumirë!

Gjokë Malçi la pas bashkëshorten dhe pesë fëmijët e tij.
Humbja e tij është e paplotësueshme për familjen, për Kurbinin dhe për të gjithë ata që besojnë se besa dhe fjala e nderit janë themelet e shoqërisë shqiptare. Emri i tij do të mbetet i gdhendur në kujtesën e të gjithë atyre familjeve që falë tij zgjodhën jetën mbi hakmarrjen.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033