Pjesa e dytë e ndeshjes Dinamo–Vllaznia, e vlefshme për Superligën shqiptare, nuk ka nisur ende për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në stadiumin “Air Albania”.
Ndeshja duhej të rifillonte në orën 20:30, por mungesa e energjisë ka detyruar skuadrat të qëndrojnë jashtë fushës. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0–1 në favor të Vllaznisë, ndërsa nëse ndërprerja zgjat, nuk përjashtohet mundësia që takimi të shtyhet.
Ndërprerja e energjisë ka prekur edhe një pjesë të kryeqytetit. Sipas një njoftimi zyrtar nga OSHEE, shkaku është një avari në linjën 110 kV të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, e cila furnizon disa nënstacione në zona si Ali Demi, Fresku, ish-Uzina Autotraktorëve, Brryli dhe rrethinat.
OSHEE bën me dije se po bashkëpunon me stafet e OST për zgjidhjen e problemit, ndërsa furnizimi për institucionet e rëndësishme dhe disa zona po realizohet përkohësisht përmes linjave alternative, sipas skemës unazë.
Situata mbetet në zhvillim, ndërsa pritet rikthimi i energjisë për të mundësuar vazhdimin e ndeshjes në stadiumin e Tiranës.