Imzot Luigi Bonazzi, Nunc Apostolik dhe Ambasador i Vatikanit në Shqipëri deri në 21 janar 2025, është ndarë nga jeta. Lajmi u bë i ditur nga Arqidioqeza Metropolitane Shkodër-Pult, e cila e përshkroi atë si një bari të urtë dhe shërbëtor të palodhur të Selisë së Shenjtë.
Në njoftim thuhet se Imzot Bonazzi shërbeu me përkushtim të jashtëzakonshëm gjatë katër viteve të misionit të tij në vendin tonë, duke forcuar marrëdhëniet e Kishës me popullin shqiptar dhe duke lënë pas një dëshmi të gjallë të dashurisë së Krishtit.
Rreth një vit më parë, në përfundim të misionit të tij, Ipeshkëvinjtë e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë i përcollën mirënjohjen duke kremtuar së bashku meshën e shenjtë, në shenjë bashkimi dhe falënderimi për kontributin e tij në shërbim të Atit të Shenjtë Papa Françesku.
Imzot Luigi Bonazzi kishte një karrierë të gjatë diplomatike, duke shërbyer në disa vende të botës, mes tyre Kuba, Vendet Baltike, Kanadaja dhe së fundi Shqipëria. Dorëheqja e tij u pranua nga Papa Françesku i ndjerë, për shkak të mbushjes së moshës sipas ligjit kanonik.


