Aktorja dhe këngëtarja legjendare franceze Brigitte Bardot ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare. Lajmi është bërë i ditur përmes një deklarate zyrtare të Fondacionit Brigitte Bardot.
Një figurë emblematike e kinemasë botërore të gjysmës së dytë të shekullit XX, Bardot u shndërrua në simbol të rinisë rebele, bukurisë dhe emancipimit, duke ndikuar ndjeshëm në ndryshimin e mënyrës se si përfaqësohej femra në ekranin e madh. Me interpretimet e saj të çliruara dhe sensuale në filma si “Le Mépris” i Jean-Luc Godard-it, ajo kontribuoi në hapjen e rrugës për revolucionin seksual në kinemanë europiane.
Në deklaratën e Fondacionit theksohet se Bardot ishte “një grua e jashtëzakonshme, e cila dha gjithçka dhe hoqi dorë nga gjithçka për një botë më respektuese ndaj kafshëve”, duke nënvizuar se trashëgimia e saj vijon përmes veprimtarisë dhe betejave që fondacioni do të vazhdojë në frymën e idealeve të saj.
Brigitte Bardot lindi në vitin 1934 në Paris, në një familje tradicionale katolike. Ajo u dallua herët për talentin në balet, çka i mundësoi studimet në Konservatorin e Parisit. Paralelisht, nisi karrierën si modele dhe u shfaq në kopertinën e revistës Elle në vitin 1950, në moshën 15-vjeçare. Kjo periudhë shënoi edhe hyrjen e saj në botën e filmit, ku gjatë një audicioni njohu Roger Vadim-in, me të cilin u martua në vitin 1952, pasi kishte mbushur 18 vjeç.
E njohur gjerësisht me inicialet B.B., Bardot u bë një fenomen kulturor në vitet 1950 dhe 1960, duke joshur publikun dhe duke sfiduar normat e kohës me shfaqjen e hapur të seksualitetit. Ajo pati sukses të madh edhe në Shtetet e Bashkuara, duke ndihmuar në popullarizimin e filmave europianë në një periudhë kur censura hollywoodiane ishte ende shumë e fortë.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri homazh Bardot-it, duke theksuar se ajo “mishëroi një jetë lirie” dhe se figura e saj mbetet një simbol i fuqishëm i kulturës franceze. “Ne vajtojmë një legjendë të shekullit”, u shpreh ai.