Festimet e ndërrimit të viteve kanë sjellë një fluks të shtuar në urgjencën e Spitalit Rajonal Fier, kryesisht nga të rinj që janë paraqitur me simptoma të intoksikacionit nga alkooli.
Burime nga spitali bëjnë me dije se gjatë natës festive janë trajtuar disa persona të grupmoshës 20–30 vjeç, të cilët janë paraqitur në gjendje të dehur. Pas marrjes së mjekimit, të gjithë janë larguar nga spitali pa pasur komplikacione.
Përdorimi i fishekzjarrëve gjatë festimeve ka sjellë edhe pasoja të tjera, ku tre persona kanë pësuar lëndime të lehta. Të dëmtuarit janë trajtuar në urgjencë dhe janë larguar pas stabilizimit të gjendjes së tyre.
Gjatë orëve të para të mëngjesit, urgjenca ka pritur edhe disa pacientë kronikë, të cilët janë paraqitur për shqetësime të lidhura me ngarkesën ushqimore të festave. Sipas burimeve mjekësore, deri më tani nuk raportohet për raste me pasoja të rënda shëndetësore.