Nallbati takon shqiptarët në Toronto: Diaspora, çelësi për ndryshimin në Shqipëri

Deputeti i Partisë Demokratike, Bledjon Nallbati, ka zhvilluar një takim me komunitetin shqiptar në Toronto, Kanada, ku është pritur me mikpritje të ngrohtë.

Gjatë bashkëbisedimit, ai ka theksuar rëndësinë e angazhimit të diasporës për të ndihmuar në zhvillimin dhe ndryshimin e vendit.

Nallbati nënvizoi se Shqipëria ka nevojë urgjente për mirëqeverisje dhe politika efektive ekonomike, duke theksuar se vetëm përmes një angazhimi të plotë mund të arrihet një e ardhme më e mirë për çdo shqiptar.

“Gjendem mes vëllezërve dhe motrave tona në Toronto, krenar për punën dhe përkushtimin e tyre ndaj Atdheut. Shqipëria ka vetëm një mundësi për ndryshim, dhe ajo vjen përmes angazhimit dhe votës së diasporës,” u shpreh ai.

Deputeti demokrat ftoi shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të regjistrohen dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor. Ai theksoi se çdo votë është e rëndësishme për të ndikuar në të ardhmen e vendit.

“Me ndihmën e diasporës, do ta bëjmë realitet këtë ndryshim më 11 maj. Prandaj, ju ftoj të regjistroheni deri më 4 mars në portalin e KQZ-së dhe të shprehni vullnetin tuaj për të ardhmen e Shqipërisë,” shtoi ai.

Sipas Nallbatit, diaspora ka një rol vendimtar në përcaktimin e kursit politik dhe ekonomik të vendit, duke dhënë kontributin e saj në zhvillimin e një Shqipërie më të drejtë dhe të begatë.

“Diaspora zgjedh Atdheun! Diaspora zgjedh ndryshimin!” ishte mesazhi përmbyllës i deputetit demokrat gjatë takimit në Toronto.

Ndaj Postimin: