Naftëtarët në Marinzë në ditën e 13-të të grevës: “Shteti na ka braktisur”

Grevistët në Marinzë shprehen të dëshpëruar nga heshtja e qeverisë, ndërsa kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e krizës së tyre ekonomike dhe sociale.

Në ditën e 13-të të grevës së urisë, naftëtarët e Marinzës vijojnë qëndrimin e tyre të vendosur, mes lodhjes dhe zhgënjimit të thellë ndaj institucioneve shtetërore. Ata deklarojnë se janë lënë në mëshirë të fatit dhe se asnjë përfaqësues i qeverisë nuk është interesuar për gjendjen e tyre.

Eduart Mita dhe Dritan Rrapushi, dy nga grevistët, shprehën indinjatën e tyre duke e cilësuar heshtjen institucionale si “të pafalshme” dhe “poshtëruese”. Ata kërkuan nga autoritetet që të reagojnë me përgjegjësi dhe të mos lejojnë që situata të marrë përmasa tragjike.

Thirrjes së tyre iu bashkua edhe Artur Ndreu, një tjetër punonjës i vendburimit që ka bojkotuar punën në shenjë solidariteti. Ai e cilësoi sjelljen e qeverisë si çnjerëzore, duke theksuar se për vite me radhë kërkesat e punëtorëve janë injoruar sistematikisht.

Në mbështetje të grevistëve ka ardhur edhe përfaqësuesi i organizatës “Drejtësi Sociale”, Gentian Sejrani. Në një deklaratë për mediat, ai tha se kërkesat e punonjësve janë përcjellë edhe në instancat ndërkombëtare, ndërsa shtoi se “presioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar do ta detyrojë qeverinë të reagojë.”

Sejrani theksoi gjithashtu se drejtuesja politike e qarkut, e cila është edhe ministre e linjës, duhet të tregojë më shumë ndjeshmëri për situatën, duke kujtuar se është votuar nga vetë këta punëtorë që sot po luftojnë për mbijetesë.

Ndërkohë, dita e 13-të e grevës ka nisur me një tubim para zyrave të kompanisë, ku u bëri thirrje mediave të mbulojnë situatën e tyre. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, dy prej grevistëve, Dorjan Dylmishi dhe Eduart Selami, janë tërhequr nga protesta, duke e ulur numrin e tyre në vetëm tetë persona që vijojnë grevën.

Ndaj Postimin: