Nga: Ndriçim Gjoshi
Fermerët e Fierit dhe Lushnjës po i largohen kultivimit të grurit, duke preferuar kultura të tjera më fitimprurëse për shkak të çmimit të ulët dhe importit të lartë. Ndryshimi i profilit të zonës dikur të njohur si “Hambari i Myzeqesë” po ndikon ndjeshëm në peizazhin bujqësor të rajonit.
Dikur simbol i begatisë bujqësore në Shqipëri, Fieri dhe Lushnja po shohin gjithnjë e më pak sipërfaqe të mbjella me grurë. Në krahasim me vitet e shkuara, fermerët kanë reduktuar ndjeshëm tokat e dedikuara për këtë kulturë bazë.
Të dhënat më të fundit nga Agjencia e Ekstensionit të Bujqësisë në Fier, si dhe ekspertët agronomë lokalë, tregojnë se këtë vit në të gjithë qarkun janë mbjellë vetëm 8.954 hektarë me grurë. Kjo shifër është rreth 2.000 hektarë më pak se në vitin 2024, kur u regjistruan 11.058 hektarë. Ulja e madhe e sipërfaqes së mbjellë konfirmon largimin e fermerëve nga tradita e grurit.
Arsyet e këtij ndryshimi janë të shumta. Specialistët e bujqësisë theksojnë se rënia e interesimit të fermerëve për grurin vjen si rezultat i çmimit të ulët të prodhimit vendas dhe konkurrencës së fortë nga importi. Vendet si Serbia, Greqia, Rusia dhe Kanadaja mbulojnë një pjesë të madhe të tregut shqiptar me grurë të importuar, duke dobësuar pozitat e prodhuesve vendas.
Korrja e grurit në Myzeqe ka nisur prej disa ditësh, por prodhimi nuk ka përmbushur pritshmëritë e fermerëve. Në biseda jashtë kamerave, ata shprehen të zhgënjyer për keqtrajtimin e farave, motin e pafavorshëm dhe mungesën e mbështetjes. Rendimenti është ulur dhe gruri nuk konsiderohet më prioritet, pasi mposhtet nga konkurrenca e importit dhe rritja e kostove të prodhimit.
Kjo situatë po i detyron fermerët të ndryshojnë strategji. Shpenzimet për mbjellje, kujdes dhe korrje janë rritur, ndërsa fitimet mbeten të pakta. Llogaritjet tregojnë se mbjellja e grurit nuk është më rentabël dhe gjithnjë e më shumë fermerë po orientohen drejt kulturave të tjera.
Në këtë sfond, Drejtoria e Bujqësisë në Fier nënvizon se vëmendja e fermerëve këtë vit është zhvendosur te perimet, kryesisht në sera. Kjo tendencë po ndryshon fizionominë bujqësore të rajonit, duke e larguar gjithnjë e më shumë nga identiteti tradicional i “Hambarit të Myzeqesë”.