Mungon ndriçimi në autostradën Durrës–Rrogozhinë, rrezik për jetën e drejtuesve të mjeteve!

Autostrada Durrës–Rrogozhinë, një nga akset kryesore kombëtare, vijon të mbetet në errësirë gjatë natës. Pavarësisht investimeve të premtuara dhe vendosjes së shtyllave ndriçuese, në pjesën më të madhe të rrugës mungon ndriçimi, duke e kthyer këtë segment në një burim potencial aksidentesh.

Këto pamje të siguruara nga TV Apollon tregojnë qartë se rruga është pothuajse e padukshme gjatë orëve të natës, sidomos në kushte atmosferike me shi apo mjegull. Të vetmet drita janë ato të automjeteve, ndërsa mungesa e ndriçimit rrit ndjeshëm rrezikun për përplasje apo dalje nga rruga.

Drejtuesit e mjeteve janë të shqetësuar, ndërsa institucionet përgjegjëse heshtin. Ndërprerja e furnizimit me energji për ndriçuesit publikë dhe mungesa e mirëmbajtjes janë bërë tashmë problem i përhershëm në këtë aks.

Thirrja shkon për autoritetet shtetërore dhe strukturat e mirëmbajtjes rrugore: të merren masa urgjente për rikthimin e ndriçimit dhe garantimin e sigurisë në një nga rrugët më të frekuentuara të vendit.

Gazetar: Ndriçim Gjoshi

Ndaj Postimin: