Mungesa e respektit për sportistet në Shqipëri, Nayara Ferreira ndihet e tronditur

Nayara Ferreira thotë se testimi i detyruar i gjinisë dhe pezullimi nga loja e kanë tronditur emocionalisht, duke ngritur shqetësime për trajtimin e grave në sport.

Volejbollistja braziliane Nayara Ferreira, që luan në kategorinë e parë për ekipin Dinamo në Shqipëri, ka treguar se është thellësisht e prekur nga vendimi i Federatës Shqiptare të Volejbollit për ta pezulluar dhe detyruar të kryejë një test të përcaktimit të gjinisë. Ajo e përshkruan përvojën si të dhimbshme dhe të pakuptimtë.

Ferreira thotë se ndodhet në një gjendje të rëndë psikologjike, sepse ndjen se po trajtohet padrejtësisht. “Ndjej sikur po shkatërrohem. Përse më ndodhi kjo? Çfarë kam bërë?” u shpreh ajo për Deutsche Welle. Ajo shtoi se çdo ditë pyet veten për arsyen e këtij vendimi, por nuk gjen përgjigje.

Sipas deklarimeve të saj, ky është herë e parë që përballet me një kërkesë të tillë, pavarësisht se ka luajtur në shtatë vende të ndryshme, përfshirë edhe Arabinë Saudite. “Askush nuk më ka vënë kurrë në dyshim gjininë,” tha Ferreira, duke e cilësuar rastin të paprecedent.

Pezullimi i lojtareve nisi në tetor, pas kërkesave të dy ekipeve rivale që paraqitën dokumente dhe ngritën pikëpyetje mbi “performancën fizike natyrore” të saj. Federata kërkoi kryerjen e analizave, ndërsa klubi Dinamo e cilësoi vendimin absurd dhe poshtërues.

Ferreira ka humbur tri ndeshje gjatë pezullimit dhe thotë se ka përjetuar izolim total nga informacionet për ecurinë e çështjes. “Nuk kam fjalë ta përshkruaj dhimbjen. A po më gjykoni nga fytyra dhe flokët?” u shpreh ajo.

Lojtaret e ekipit Dinamo kanë dalë hapur në mbështetje të saj. Kapitenia Elena Bego tha se lajmi i pezullimit i tronditi të gjitha. “E dimë kush është Nayara. Kjo situatë është e padrejtë dhe e rëndë,” u shpreh ajo.

Trajneri Orlando Koja theksoi se mungesa e saj ka krijuar edhe vështirësi sportive. “Ajo është lojtare kyçe, dhe ekipi ka vuajtur në ndeshje vendimtare,” theksoi ai.

Ferreira pranoi se bëri testin vetëm për të mos e dëmtuar klubin dhe shoqet e ekipit. “Unë e di kush jam. Nuk kam nevojë t’i tregoj askujt që jam grua,” tha ajo me vendosmëri.

Situata ka hapur debat më të gjerë mbi mënyrën si trajtohen sportistet dhe mbi respektin ndaj identitetit të tyre. Ajo beson se rasti i saj tejkalon çështjen personale.

“Mendoj se duhet të mendojmë për mënyrën se si trajtojmë gratë në sport. Me vendime si ky, ato dëmtohen, thyhen, shkatërrohen,” tha ajo.

Çështja e identitetit gjinor në sport është bërë temë e debatit ndërkombëtar në vitet e fundit, sidomos pas rasteve të atleteve si Imane Khelif. Vendimet për testime të detyrueshme po përhapen në shumë sporte.

Federata Botërore e Atletikës këtë vit ka vendosur rregulla të reja më të rrepta, duke e bërë kërkesën për testim gjinie të detyrueshme për të gjitha sportistet që konkurrojnë në nivele të larta.

Rasti Ferreira pritet të mbetet një pikë referimi në diskutimin për të drejtat dhe dinjitetin e grave në sport, veçanërisht në Shqipëri, ku mbështetja institucionale shpesh mungon.

Ndaj Postimin: