Sulmuesi shqiptar Ernest Muçi ka mbërritur në Trabzon, ku do të luajë si i huazuar nga Beshiktashi deri në fund të sezonit.
Ernest Muçi është tashmë pranë nisjes së aventurës së tij të re në Superligën turke, këtë herë me fanellën e Trabzonsporit. Ditën e sotme, mediat turke publikuan pamje ku ai shihet teksa mbërrin në qytetin e Trabzonit.
Kartoni i 23-vjeçarit mbetet pronë e Beshiktashit, por marrëveshja e arritur mes klubeve parashikon një huazim për këtë edicion. Vetëm testet mjekësore e ndajnë nga zyrtarizimi i plotë, i cili pritet të bëhet shumë shpejt.
Ky transferim u përfol që dje si një lëvizje e befasishme, duke lënë pas ofertën e Rubin Kazanit. Muçi nuk pranoi kalimin në kampionatin rus, duke preferuar të qëndrojë në Turqi.
Ndryshe nga Beshiktashi, i cili ka pasur një nisje të vështirë të sezonit, Trabzonspori ka filluar mbarë kampionatin. Pas katër javësh të luajtura, skuadra numëron 10 pikë, vetëm dy më pak se lideri Gallatasaraj.
Ky kalim shihet si një mundësi e artë për Muçin për të pasur më shumë minuta në fushë dhe për të kontribuar në një ekip që synon vendet e para në renditje.
Në ditët në vijim, pritet të bëhet prezantimi zyrtar i tij si futbollist i ri i Trabzonsporit, duke mbyllur një prej merkatos më të diskutueshme të këtij fillimsezoni në futbollin turk.