Moti i keq në Vlorë, ndalohet lundrimi i mjeteve të vogla dhe të peshkimit deri më 26 janar, anulohet mbërritja e tragetit Vlorë–Brindisi

Përkeqësimi i kushteve hidrometeorologjike në zonën detare të Vlorës ka sjellë ndalimin e lundrimit për mjetet e vogla dhe ato të peshkimit, ndërsa trageti i linjës Vlorë–Brindisi–Vlorë ka anuluar mbërritjen e parashikuar për datën 25 janar 2026.

Sipas Kapitenerisë së Portit të Vlorës, ndalimi i pajisjes me leje-nisje për këto mjete do të jetë në fuqi nga ora 12:00 e datës 24 janar 2026 deri më 26 janar 2026, në orën 06:00, për operimet brenda gjirit të Vlorës dhe në det të hapur.

Parashikimi meteorologjik flet për erë në drejtimin jug–juglindje me forcë deri në 7–8 bft, me shpejtësi deri në 25–45 m/s, si dhe për dallgëzim me lartësi nga 2.50 deri në 4.00 metra, brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës.

Autoriteti portual u ka kërkuar subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari detare të marrin masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve, me qëllim shmangien e situatave të papritura.

Ndërkohë, lundrimi do të vijojë vetëm për anijet e transportit ndërkombëtar detar, të cilat do të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

Sipas njoftimit, përmirësimi i kushteve hidrometeorologjike për mjetet e vogla dhe ato të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 26 janar.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033