Policia e Korçës ka nisur procedim penal ndaj administratorit të një subjekti ekonomik të kontraktuar për mirëmbajtjen e aksit rrugor Maliq–Lozhan, për moskryerje të detyrimeve ligjore gjatë kushteve të motit të ftohtë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare bënë me dije se materialet janë referuar në Prokurori, ku ka filluar procedimi penal ndaj shtetasit B. H., 48 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”.
Sipas njoftimit zyrtar, subjekti i administruar nga ky shtetas ishte i ngarkuar me mirëmbajtjen e aksit Maliq–Lozhan, por dyshohet se nuk ka ofruar shërbimin e pastrimit dhe kriposjes së rrugës, duke krijuar rrezik dhe vështirësi për përdoruesit e këtij segmenti rrugor.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.