Mori mandatin nga kriminelët. Bumçi: Bashkë me Çyrben në burg duhet të shkojë edhe Edi Rama.

Mori mandatin nga kriminelët. Bumçi: Bashkë me Çyrben në burg duhet të shkojë edhe Edi Rama.

Bisedat e zhvilluara në platformën “Sky ECC” kanë sjellë probleme për deputetin socialist Jurgis Çyrbja.

SPAK e akuzon se, si deputet, ai arrinte të merrte informacione rreth kontrolleve për arrestimin e Altin Hajrit dhe më pas e njoftonte personalisht atë. Në këmbim të kësaj, Hajri – i shumëkërkuar për vepra të rënda kriminale – e ndihmonte Çyrbjan në fushatën e tij për të siguruar vota në qarkun e Durrësit.

Në lidhje me këtë çështje, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, gjatë një interviste për “Ora News”, theksoi se personi që sipas tij duhet arrestuar është vetë kryeministri Edi Rama. Sipas Bumçit, Rama ishte ai që udhëhoqi fushatën në Durrës dhe për këtë arsye ai duhet të mbajë përgjegjësi. Bumçi gjithashtu e krahasoi situatën politike në vend me regjimet e tjera autoritare, duke thënë se “zgjidhja është tani” dhe se largimi i Ramës është domosdoshmëri.

Ai bëri thirrje për bashkimin e qytetarëve kundër qeverisë dhe për largimin e saj, duke theksuar se në datën 29 do të zhvillohet një tjetër protestë masive, e cila do të përfshijë bllokime rrugësh dhe paralizë të vendit, deri në largimin e Edi Ramës. Bumçi nënvizoi se zgjidhja nuk do të vijë nga jashtë, por është përgjegjësi e shqiptarëve të marrin në dorë fatin e vendit të tyre.

Duke përmendur raste nga politika ndërkombëtare, Bumçi përmendi ish-presidentin Donald Trump dhe ish-kryeministrin italian Silvio Berlusconi, duke theksuar se megjithëse të dy janë përballur me akuza, ata nuk janë ndaluar të marrin pjesë në zgjedhje. Sipas tij, kjo që po ndodh në Shqipëri është një ndërhyrje direkte në vullnetin e zgjedhësve.

Protesta e nesërme e deputetëve të PD-së në Parlamentin Evropian ka për qëllim të tregojë se në zemër të Evropës është lejuar krijimi i një “narko-regjimi”. Sipas Bumçit, kjo është një çështje që prek jo vetëm Shqipërinë, por edhe imazhin e gjithë rajonit në arenën ndërkombëtare.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera