Luka Modriç largohet nga Real Madrid pas më shumë se një dekade, duke lënë pas vetes një histori të pasur trofesh dhe arritjesh në “Santiago Bernabeu”.
Çdo histori e madhe futbolli ka një fund, dhe këtë fund po e përjeton Luka Modriç me Real Madridin. Mesfushori kroat pritet të luajë ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Los Blancos këtë të shtunë, në “Santiago Bernabeu”, duke mbyllur kështu një epokë të artë në historinë e klubit madrilen.
Lajmin e largimit e ka konfirmuar vetë Real Madrid përmes një postimi në rrjetet sociale, ku i ka uruar Modriçit dhe familjes së tij suksese në fazën e re të jetës. “Santiago Bernabeu do të të nderojë këtë të shtunë, në sfidën e fundit që do të luash me ekipin tonë”, shkruhet në deklaratën e klubit.
Modriç iu bashkua Real Madridit në vitin 2012, duke ardhur nga Tottenham, dhe shpejt u kthye në një nga figurat kyçe të skuadrës. Për më shumë se dhjetë vite, ai ka qenë lider në mesfushë, duke ndihmuar ekipin të arrijë suksese të mëdha si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Në këto vite, 39-vjeçari kroat ka regjistruar plot 590 paraqitje me Real Madrid, duke fituar plot 28 trofe madhorë. Mes këtyre triumfeve spikasin 6 tituj të UEFA Champions League, 6 Kupa të Botës për Klube të FIFA-s, 5 Superkupa UEFA, 4 tituj të La Ligës, 2 Kupa të Mbretit dhe 5 Superkupa të Spanjës.
Kontributi i Modriçit në historinë e Real Madrid është i pakrahasueshëm, duke u bërë një prej futbollistëve më të vlerësuar të klubit dhe një simbol i profesionalizmit dhe përkushtimit. Ai do të mbahet mend jo vetëm për trofetë, por edhe për karakterin dhe lidershipin në fushë.
Lamtumira e Modriçit nga “Santiago Bernabeu” shënon fundin e një epoke të ndritur, por edhe fillimin e një kapitulli të ri, si për të ashtu edhe për Real Madridin, që do të mbetet gjithmonë krenar për vitet që kroati i dhuroi klubit.