Mbretëria e Bashkuar është përfshirë nga një skandal i rëndë pas daljes në dritë të akuzave ndaj një mjeku të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor (NHS), i cili dyshohet për abuzim seksual ndaj 38 pacientëve në spitalet e West Midlands dhe Staffordshire gjatë viteve 2017–2021.
Bëhet fjalë për Nathaniel Spencer, 38 vjeç, ndaj të cilit është ngritur një numër i konsiderueshëm akuzash të rënda, përfshirë sulm seksual, përdhunim dhe abuzim ndaj të miturve. Ai pritet të dalë para gjykatës më 20 janar 2026 për t’u përballur me akuzat.
Spencer, me origjinë nga Quinton në Birmingham, është diplomuar në Medical University of Warsaw dhe ka marrë lejen për ushtrimin e profesionit në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2019. Ai është i martuar me një dizajnere grafike polake dhe ka dy fëmijë. Çifti ishte i angazhuar edhe në aktivitetet e kishës Kościół Zoe, ku fotografitë e publikuara e tregojnë mjekun të përfshirë në jetën komunitare.
Kontrasti mes jetës së tij familjare dhe akuzave të ngritura ka shkaktuar tronditje në komunitet.
Në total, Spencer përballet me 45 akuza, përfshirë 15 për sulm seksual, 17 për përdhunim, 9 për abuzim seksual ndaj një fëmije nën 13 vjeç, 3 për përdhunim ndaj një fëmije nën 13 vjeç dhe një akuzë për tentativë përdhunimi. Hetimet janë kryer në spitalet Royal Stoke University dhe Russells Hall, ku ai ka punuar gjatë viteve të dyshuara.
Të dy institucionet spitalore kanë hapur linja komunikimi për ish-pacientët që mund të jenë të shqetësuar për trajtimin e marrë, duke theksuar se siguria e pacientëve mbetet prioritet. Dr. Paul Hudson, drejtues në Dudley Group NHS Foundation Trust, deklaroi se stafi dhe komuniteti janë të shqetësuar, dhe se institucioni po bashkëpunon plotësisht me autoritetet.
Licenca e Spencer është pezulluar nga General Medical Council që në tetor, ndërsa Prokuroria ka konfirmuar se provat janë të mjaftueshme për të çuar çështjen në gjykatë.
“Ne kemi vendosur të ngremë padi për një sërë veprash të rënda seksuale ndaj pacientëve, mes tyre edhe të mitur. Ekipet tona ligjore kanë analizuar me kujdes të gjitha provat dhe kanë mbështetur hetimin e policisë,” deklaroi prokurori përgjegjës për rastin.
Spencer do të përballet me drejtësinë në janar, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur të plotë rrethanat e ngjarjeve të dyshuara.


