Ka mision të mbrojë votën apo veten!
Kjo mbetet një dilemë enigmatike, mbasi Berisha nuk mbahet për njeri me parime të djathta dhe priste të merrte pushtetin këtë herë për t’u dhënë hakun atyre që kishte vjedhur, lënduar dhe poshtëruar. Pikërisht atyre që u kishte rrëmbyer spektrin e ndryshimeve politike për të shembur regjimin kriminal komunist më 1990, dhe kishte detyrim të dënonte krimet komuniste, të vendoste drejtësinë mbi pronat dhe të dënuarit dhe të përsekutuarit politikë.

Ai ishte vetë një hepjek i regjimit komunist dhe u bashkua me turmën që kërkonte liri, por në krye, tek shtëpia e Gramoz Josif Pashkos u mblodhën bijtë e kriminelëve komunistë që të rrëmbenin PD për të shpëtuar etërit e tyre kriminelë dhe veten e tyre. Por fare pa lidhje me këtë lëvizje, me direktivë pas kuintave të apostullit Ramiz Alia, mbërriti ai MISIONARI, vepra e Ramizit… Sali Berisha, dora vetë…


Që nga ky çast ai veproi në mbrojtje të krimeve komuniste dhe në interes të krijimit të një kaste të re që do të pasurohej me pronat e pronarëve legjitimë dhe me vjedhje të buxhetit të shtetit. Sot ata i ke të gjithë me pasuri, vila dhe pushtet, duke mbushur gjithë zyrat e shtetit dhe mijëra firma private që ua kanë trashëguar pasardhësve…


Berisha e plotësoi misionin për ta, por i ka mbetur një hallkë e vogël por shumë e rëndësishme, siguria e pasurive të fëmijëve të tij, prandaj nuk ka për të gjetur prehje Shqipëria derisa të vijë ai në pushtet… Pra kjo është çështja… të rrosh apo të mos rrosh… sepse, për ironi të fatit, atë e kanë lënë limitet jetësore për të pritur mandatin tjetër më 2029. Ai është ngarkuar me turp dhe vetëm vdekja i bën nder…


Si për koincidencë, edhe diktatori komunist u kujtua vonë për të siguruar të ardhmen e familjes së tij, saktësisht në moshën kur filluan problemet e rënda me shëndetin. Ai, në bashkëpunim me krushkun e tij, kriminelin Ramiz Alia, i preu kokën dy figurave të forta që nuk shfaqnin besim për të, kriminelët komunistë Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu. Ata nuk kishin dalë kundër diktatorit, por ai donte të siguronte familjen e tij në mirëbesim të krushkut dhe i kishte mundësitë ta bënte atë me demagogji, duke përdorur mjetet kriminale të shtetit.
Atë që Enver Hoxha nuk arriti edhe me mjete të egra kriminale, e bëri krushku i tij me anë të MISIONARIT, duke siguruar jo vetëm pasardhësit e kastës komuniste, por edhe gjithë arkitekturën organizative komuniste që kontribuoi në shkatërrimin e kombit shqiptar dhe sot është zhytur në kriminalitet të çmendur, duke grabitur çdo vit rreth 1 miliardë euro nga buxheti i shtetit.


Sot Berisha nuk ka besim te askush se do t’i mbrojë pasuritë e familjes së tij dhe mund ta shkatërrojë Shqipërinë për të zgjidhur hallin e tij e për këtë ka me vete përveç qehajajve Noka e kompani, por edhe mijëra të pamend që nuk e kanë për gjë të shkojnë pas tij deri në katastrofë në betejën e qorrsokakut të tyre dhe destruktivizmit delirant të MISIONARIT… Falë fenomenit MISIONARI, e djathta me principe nuk do të vijë në pushtet asnjëherë sa të jetë ai gjallë, sepse sundojnë mekanizmat që ai imponoi si kulti i tij, militantizmi i turmës qorre, ndershmëria false dhe karakteri i papërkulur…

Ndaj Postimin: