Rreth 197 tonë mish pule nga Tajlanda kanë hyrë në tregun shqiptar përmes Kosovës, si rieksport, ndërsa një auditim i Komisionit Europian ka evidentuar problematika serioze në disa stabilimente tajlandeze të prodhimit të mishit të shpendëve.
Importi i këtij produkti në Shqipëri u hap që prej vitit 2025, me kushtin që mishi të vinte nga stabilimente të certifikuara për eksport drejt Bashkimit Europian.
Por pas vendimit të 3 shtatorit, kur BE-ja dhe Shqipëria ndaluan importin e disa kategorive të mishit nga Brazili, industria shqiptare e përpunimit të mishit duket se ka orientuar një pjesë të furnizimit drejt Tajlandës.
Ndërkohë, në qershor, një auditim i Komisionit Europian në Tajlandë evidentoi shkelje në higjienën dhe gjurmueshmërinë e produkteve.
Në raport thuhet se, në pothuajse të gjitha stabilimentet e vizituara, karkasat me kontaminim fekal dërgoheshin për ripërpunim.
Në disa raste, mënyra e transferimit të tyre paraqiste, sipas audituesve, rrezik serioz për përhapjen e kontaminimit fekal.
Karkasat e kontaminuara dërgoheshin në zona të tjera, ku punonjësit prisnin pjesët e prekura, i lanin me ujë dhe më pas vendosnin nëse mishi ishte i përshtatshëm për konsum.
Por auditimi evidentoi edhe probleme me gjurmueshmërinë.
Në një stabiliment u konstatua se, për produkte të destinuara për eksport në BE, ishte përdorur mish i grirë nga thertore të paautorizuara për tregun europian.
Këto gjetje ngrenë pikëpyetje për kontrollin e zinxhirit të furnizimit dhe kërkojnë verifikim të menjëhershëm nga AKU dhe Ministria e Bujqësisë.
Institucionet duhet të kontrollojnë se nga cilat stabilimente ka ardhur mishi, nëse ato janë të autorizuara dhe nëse produkti i importuar përmbush standardet e sigurisë ushqimore.
Sepse pas 197 tonëve mish pule nuk qëndron vetëm një shifër importi, por një produkt që përfundon në industrinë ushqimore dhe, në fund, në tryezën e konsumatorit shqiptar.