Romanca mes Mirlind Dakut dhe modeles Vesa Vllasaliu po bëhet gjithnjë e më serioze, ndërsa çifti nuk fshihet më nga sytë e publikut.
Prej disa muajsh, futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Mirlind Daku, dhe ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Vesa Vllasaliu, janë kthyer në një nga çiftet më të përfolura në mediat rozë. Lidhja e tyre, e cila fillimisht u mbajt larg vëmendjes publike, duket se po hyn në një fazë më të qëndrueshme e të hapur.
Vesa ka ndarë së fundmi një video trend në “TikTok”, ku shfaqet me mbishkrimin: “Më falni mami dhe babi, diploma ime u bë dekor… por u martova me një burrë që kujdeset shumë për mua”. Ky detaj i vogël u interpretua nga ndjekësit si një konfirmim i qartë i afrimit mes çiftit drejt martesës.
Modelja ka filluar të publikojë foto e video nga jeta familjare e partnerit të saj, duke e quajtur Mirlindin “burri im”. Ky veprim e bën lidhjen e tyre më publike se kurrë dhe nxit spekulimet për një zyrtarizim të afërt të marrëdhënies. Çifti duket se po shijon një harmoni të plotë, pas disa vështirësive që përjetuan në fillim të historisë së tyre.
Sipas burimeve pranë tyre, dyshja ka nisur bashkëjetesën, një hap që tregon seriozitetin e lidhjes. Vesa është parë shpesh në ambiente familjare, e buzëqeshur dhe në harmoni me të afërmit e futbollistit, çka tregon se është integruar mirë në jetën e tij.
Megjithatë, historia e tyre nuk ka qenë gjithmonë e qetë. Rreth gjashtë muaj më parë, çifti u përfol për një ndarje të mundshme, pasi Vesa u pa në Nju Jork me një person misterioz. Thashethemet për një lidhje të re qarkulluan me shpejtësi, por ajo nuk dha asnjë deklaratë publike dhe preferoi të qëndronte larg komenteve.
Në të kaluarën, Vesa kishte pranuar publikisht raportin me Dakun, duke ndarë postime mbështetëse për të gjatë ndeshjeve. Që atëherë, marrëdhënia e tyre ka kaluar disa faza, por tani duket më e qëndrueshme se kurrë. Burime pranë çiftit pohojnë se romanca është bërë tashmë pjesë e përditshmërisë familjare dhe se të dy po ndërtojnë planet për të ardhmen së bashku.