Një vlerësim i rëndësishëm për artin dhe kontributin shumëvjeçar në skenën shqiptare i është akorduar aktorit të mirënjohur Todi Llupi. Me vendim të Këshillit të Ministrave, atij i është dhënë pension i veçantë shtetëror, si shenjë mirënjohjeje për kontributet e çmuara në kulturë dhe art.
Lajmi është bërë i ditur nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila ka theksuar rolin dhe figurën e veçantë të aktorit në jetën artistike shqiptare. Sipas saj, Todi Llupi është një nga emrat më të dashur të estradës shqiptare, me një vend të veçantë në zemrat e publikut, ndërsa vlerësimi i dhënë në këtë fundvit është një nderim i merituar për një karrierë të gjatë dhe të ndritur.
Në vlerësimin e saj, Balluku thekson edhe rolin e qytetit të Fierit në historinë kulturore të vendit, duke e cilësuar atë si një djep të artit shqiptar. Sipas saj, Fieri ka nxjerrë ndër vite këngëtarë, regjisorë, aktorë dhe shkrimtarë të shumtë, ndërsa Todi Llupi përfaqëson një nga yjet më të spikatur të këtij qyteti.
Në përmbyllje të mesazhit, aktorit i është uruar “pleqëri të mbarë”, si shprehje respekti dhe mirënjohjeje për gjithçka ka dhënë në shërbim të artit dhe publikut shqiptar.
Todi Llupi është një aktor i njohur i kinematografisë dhe teatrit shqiptar, i cili ka marrë pjesë në disa filma të rëndësishëm, mes të cilëve Ardhur nga ëndrrat, Pesha e kohës, Amnistia dhe Para perëndimit të diellit. Kontributi i tij ndër vite e ka kthyer në një figurë të respektuar dhe të dashur për breza të tërë artdashësish.