Mire te tjerat po si ka mundesi te permbytet Gjirokastra qe eshte e ndertuar ne rrepire?

Gjirokastra është e shtrirë në katër shpate mali, pjesë integrale e Malit të Gjerë. Ky nuk është një detaj folklorik, por një fakt gjeodezik dhe hidrologjik thelbësor për të kuptuar pse qyteti ka qenë gjithmonë i ekspozuar ndaj përmbytjeve dhe rrëshqitjeve, nëse ndërhyrja njerëzore mungon ose bëhet gabim.

Sistemi i përrenjve nis që nga Lazarati, aty ku formohet Përroi i Gjorkanës, i cili ndahet më tej në dy nëndegë kryesore: Përroi i Leknjasit dhe ai i Manalatit. Më poshtë vijojnë Përroi i Çfakës dhe Përroi i Dunavatit, që burojnë nga zona e Arrave të Çajupe dhe Gropa e Mëmës mbi Dunavat. Këta përrenj degëzohen në Përroin e Urës së Zerzebilit dhe atë të Nanzës, që përfundon në zonën e bllokut të furrave.

Një nyje hidraulike veçanërisht problematike është Përroi i lagjes Partizani, i cili bashkohet me Përroin e Ficos. Historikisht, në këtë pikë janë derdhur ujërat e bardha të Pazarit dhe fillimit të Palortos, në zonën e njohur si Sheshi i Xhepit. Ky segment njihej dikur si “Përroi i Fshehtë”, sepse në gjithë gjatësinë e tij kalon nën rrugë dhe ndërtesa, një zgjidhje inxhinierike tipike për qytetet e vjetra, por që kërkon mirëmbajtje konstante.

Që nga pazari i vjetër deri te ish-bashtet e Teqesë, ky përrua ishte i pajisur me prita guri të vogla, të ndërtuara me qëllim filtrimin e ujit dhe ndalimin e inerteve. Këto prita nuk ishin dekorative, por elementë funksionalë të menaxhimit të rrjedhjeve. Edhe kur shërbimet komunale kishin shumë pak punonjës, pastrimi i tyre bëhej rregullisht, sepse kuptohej rëndësia e tyre për sigurinë e qytetit.

Një tjetër element kritik është Përroi i Shamajve, një toponim shekullor që shpesh keqemërtohet. Ky përrua zbret nga Dardha në Malin e Gjerë, duke mbledhur disa lugare mali. Prita e parë ndodhej në zonën e quajtur Katarakti, rreth 500 metra mbi depozitën e ujit, në një seksion kanioni ku kontrolli i energjisë së rrjedhës ishte jetik. Prita e dytë ishte në zonën e banuar të Palortos, ndërsa e treta pranë shtëpisë së L. Lolit, ku fillonte kanali i madh i betonuar që shoqëronte përroin deri në urën e lumit.

Nga pikëpamja hidrologjike, përroi më i rrezikshëm ka qenë gjithmonë Përroi i Çullos. Ai vjen nga Dërrasa e Varikoit, ndan Granicën me Gufat e Kuqe dhe zbret me pjerrësi të madhe deri në zallin e Gërhotit. Ky përrua kishte katër prita të ndërtuara sipas logjikës së kanionit, por sot shumica janë shkatërruar, kryesisht nga ndërhyrje njerëzore të pakontrolluara.

Në krahun tjetër ndodhet Përroi i Evgjite, që ndan Gërhotin nga Kodra e Qafës së Pishave dhe Bregu i Merajve. Ky sistem kishte tre prita në pjesën e sipërme dhe dy të tjera të ndërtuara nga ushtria italiane në zonën e poligonit të qitjes. Një pritë tjetër ndodhej pranë ish-nyjës së betonit të ushtrisë, një zonë që edhe sot perceptohet si e rrezikshme për ndërtim.

Përroi i Gufës, që zbret drejt Gufës së Viroit, është një tjetër shembull i ndërthurjes së natyrës me historinë. Ai kishte disa prita të ndërtuara gjatë periudhës italiane, të cilat sot janë degraduar ose shkatërruar. E njëjta gjë vlen edhe për Përroin e Lofatës, në kufi me Mashkullorën, një përrua që shpesh nuk shihet kur del, por dëgjohet, sepse rrjedh nën zall dhe shpërthen papritur, duke marrë përpara gjithçka.

Sot, nga ky sistem i tërë pritat kanë mbetur vetëm gjurmë. Disa janë shkatërruar nga natyra, por shumica nga njerëzit, që kanë marrë gurët për mure, stalla apo themele shtëpish. Ky është një gabim teknik dhe historik, sepse këto struktura ishin pjesë e një sistemi të menduar për dekada.

Pritat nuk ndërtohen në dhjetor, në mes të reshjeve, me zgjidhje provizore. Ato ndërtohen dhe mirëmbahen në verë, kur përroi është i thatë dhe ndërhyrja është e sigurt. Kjo ishte logjika e të parëve tanë dhe kjo mbetet logjika bazë e inxhinierisë hidraulike edhe sot.

Këta përrenj nuk kanë pyetur kurrë për sisteme politike apo administrata. Ata i binden vetëm ligjeve të fizikës. Kur këto ligje injorohen, qyteti paguan çmimin. Dhe historia e Gjirokastrës, në këtë aspekt, nuk mësohet nga zyrat, por nga terreni dhe nga ata që e kanë jetuar dhe mirëmbajtur këtë qytet brez pas brezi.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033