Mirditë, arrestohet 35-vjeçarja që lëvizte e armatosur me pistoletë në automjet

Një 35-vjeçare është arrestuar në Mirditë pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri pistoletë, gjatë një operacioni policor të zhvilluar në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Ndërhyrja u krye në kuadër të operacionit të koduar “Kryqëzimi”, të finalizuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, pas informacioneve të siguruara për një shtetase që lëvizte e armatosur. Si pjesë e operacionit, u ndalua një automjet tip “Golf” në afërsi të kryqëzimit të Kthellës, në drejtim të hyrjes për qytetin e Rrëshenit.

Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, së bashku me krehër dhe municion luftarak, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasja Jetmira Biba, 35 vjeçe, banuese në Rrëshen, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme ligjore.

Ndaj Postimin: