Me 74 vota pro, 16 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 43/2023 ‘Për qeverisjen elektronike’”.
Sipas ndryshimeve të propozuara nga deputeti socialist Erjon Malaj, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nuk do të kryejë më procedura prokurimi dhe nuk do të lidhë kontrata për mirëmbajtjen e platformave digjitale shtetërore. Këto kompetenca do t’i kalojnë një shoqërie TIK, ku shteti zotëron të paktën 51% të aksioneve.
Ndryshimet, sipas përfaqësuesve institucionalë, janë hartuar me konsultimin e AKSHI-t dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.
Në dispozitat e reja, AKSHI do të ushtrojë funksione standardizuese teknike dhe arkitekturore, si dhe do të ofrojë mbështetje dhe monitorim të sistemeve të qeverisjes elektronike. Administrimi, zhvillimi dhe mirëmbajtja e infrastrukturës digjitale do t’i kalojë shoqërive operatore TIK.
Opozita e kundërshtoi projektligjin, duke e lidhur nismën me hetimet e Prokurorisë së Posaçme ndaj drejtuesve të AKSHI-t për tenderë të infrastrukturës digjitale. Drejtoresha Mirlinda Karçanaj ndodhet në “arrest shtëpie”, e akuzuar për shkelje të barazisë në tenderë, në bashkëpunim me persona të tjerë.