Një mbrëmje plot humor, të qeshura dhe duartrokitje në Teatrin “Bylis”, ku mbrëmjen e 11 nëntorit u ngjit në skenë premiera e komedisë “Miq për kokë”, me regji të Astiano Shehajt, regjisorit të ri të Teatrit “Bylis”.
Premiera u prit ngrohtësisht nga artdashësit fierakë, të cilët shijuan një komedi të realizuar me kujdes, me situata plot humor dhe interpretime të bukura nga aktorët e trupës së Teatrit “Bylis”, Anri Celibashi, Klajdi Marku dhe Miola Sitaj.
Një nga veçantitë e kësaj mbrëmjeje ishte pikërisht prania në skenë e aktorëve të teatrit të qytetit, të cilët, përmes një interpretimi plot natyrshmëri, energji dhe humor, dhuruan momente të këndshme për publikun. Të qeshurat dhe duartrokitjet e shumta shoqëruan shfaqjen, duke dëshmuar lidhjen e veçantë që publiku fierak ka me trupën e tij teatrore.
Kjo premierë shënon gjithashtu një moment të rëndësishëm për Astiano Shehajn, regjisorin e ri të Teatrit “Bylis”, pasi është realizimi i tij i parë regjisorial në këtë skenë, me trupën artistike të institucionit. Një komedi e punuar bukur, ku loja aktoriale, ritmi dhe situatat komike krijuan një atmosferë të ngrohtë dhe argëtuese.
Pas suksesit të natës së parë, komedia “Miq për kokë” do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit “Bylis” edhe për dy mbrëmje të tjera, më 12 dhe 13 nëntor, duke u dhënë mundësi artdashësve të shijojnë këtë produksion të ri.
Komedia vjen në kuadër të sezonit të dytë teatror dhe Kalendarit Artistik e Kulturor të Bashkisë Fier, i cili vijon të sjellë çdo javë shfaqje teatrore, premiera dhe produksione të reja për publikun.
Në vitin e 55-vjetorit të krijimit të tij, Teatri “Bylis” vazhdon të pasurojë jetën kulturore të qytetit, duke mbajtur gjallë traditën teatrore dhe duke i dhënë publikut fierak gjithnjë e më shumë arsye për t’u rikthyer në sallën e teatrit.