Ministria e Drejtësisë forcon kontrollin mbi noterët, 22 inspektime dhe masa disiplinore

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka urdhëruar një seri inspektimesh ndaj shërbimit noterial në mbarë vendin, duke çuar në masa disiplinore, gjoba dhe heqje licencash për shkelje të konstatuara gjatë ushtrimit të profesionit.

Gjatë periudhës shtator–dhjetor 2025, në tre muajt e parë të ushtrimit të detyrës së tij, janë kryer gjithsej 22 inspektime të plota ndaj noterëve. Inspektimet janë ndërmarrë kryesisht mbi bazën e ankesave të qytetarëve dhe raportimeve të ndryshme, me qëllim garantimin e ligjshmërisë dhe transparencës në shërbimin noterial.

Si rezultat i kontrolleve, janë vendosur 12 penalitete. Ndaj gjashtë noterëve është dhënë masa disiplinore “vërejtje me paralajmërim për heqjen e licencës”, ndërsa dy noterëve, Frida Muçmatajt dhe Valentin Lleshit, iu është hequr licenca për ushtrimin e profesionit, pasi vijonin aktivitetin edhe pse kishin mbushur moshën ligjore të daljes në pension.

Përveç masave disiplinore, janë vendosur edhe gjoba administrative me një vlerë totale rreth 6 milionë lekë të vjetra, për shkelje të ndryshme të konstatuara gjatë inspektimeve.

Ministri Lamallari ka urdhëruar vijimin e inspektimeve edhe gjatë vitit 2026, ndërsa rastet aktuale janë ende në proces dhe rezultatet e tyre pritet të bëhen publike në muajt në vijim.

Ministria e Drejtësisë, si organ mbikëqyrës i sistemit noterial, ka për detyrë monitorimin ligjor të veprimtarisë së noterëve, me synimin që ushtrimi i këtij funksioni publik nga profesionistë privatë të jetë në përputhje me interesin publik, zhvillimin e ekonomisë së lirë dhe standardet e besueshmërisë, transparencës dhe eficiencës.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033