Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s mblidhen në Bruksel, vengu rikonfirmon angazhimin e Shqipërisë në forcimin e mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, mori pjesë në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s që u zhvillua në Bruksel, ku një nga temat kryesore ishte forcimi i kapaciteteve të vendeve aleate dhe sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes Rusisë dhe Ukrainës.

Takimi kishte si qëllim përmirësimin e bashkëpunimit mes shteteve anëtare për t’u përballur me kërcënimet dhe sfidat globale.

Gjatë takimit, Vengu pati mundësinë të takonte edhe Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, një tjetër pjesëmarrës i rëndësishëm në këtë ngjarje. Në një postim të tij në rrjetet sociale, ministri Vengu theksoi angazhimin e Shqipërisë për rritjen e buxhetit të mbrojtjes, duke theksuar se vendi është i angazhuar në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të NATO-s dhe sigurimin e një kontribuimi të qëndrueshëm për stabilitetin e rajonit dhe të Evropës.

Ministri Vengu shprehu pritshmëritë për një rol më të madh të vendeve evropiane në forcimin e mbrojtjes dhe në marrjen e përgjegjësive të reja për sigurinë e kontinentit. Ai nënvizoi se Shqipëria është e gatshme të kontribuojë në këtë proces duke rritur kapacitetet e saj ushtarake dhe duke ofruar mbështetje për planifikimin strategjik të Aleancës.

Vengu theksoi gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të një industrie ushtarake funksionale që mund të prodhojë armatime, municione dhe pajisje të nevojshme për të mbështetur aleancën. Ai theksoi se një industri e tillë është thelbësore për të siguruar aftësinë për t’u përballur me sfidat e sigurisë në rritje.

Ministri i Mbrojtjes theksoi gjithashtu rëndësinë e vigjilencës së shtuar në rajonin e Evropës Juglindore, veçanërisht në lidhje me situatën në Kosovë dhe zonën Adriatiko-Joniane. Ai kërkoi përditësimin e planeve strategjike të NATO-s për t’u përballur me kërcënimet hibride dhe për të siguruar stabilitetin afatgjatë të rajonit.

Ndaj Postimin: