Projekti i Bypass-it të Sarandës i jepet kompanisë Gjoka Konstruksion për 18 milionë euro, ndërsa rruga do të devijojë trafikun jashtë qytetit turistik.
Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli këtë të mërkurë fituesin e kontratës për ndërtimin e Bypass-it të Sarandës. Kompania Gjoka Konstruksion siguroi projektin me një ofertë prej 18 milionë eurosh, që përfaqëson rreth 88% të fondit limit prej 20 milionë euro. Gara për këtë segment rrugor, i gjatë rreth 3.8 kilometra, kishte në total gjashtë kompani pjesëmarrëse.
Tenderi për fazën e parë të projektit u hap në fund të korrikut dhe synon ndërhyrjen në një zonë të ngarkuar me trafik, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Qëllimi është të lehtësohet qarkullimi në qytet duke devijuar trafikun në perëndim të Sarandës, në një rrugë kryesisht të re që shmang qendrën.
Sipas dokumenteve zyrtare, projekti përfshin një tunel 760 metra të gjatë dhe një nyje rrethrrotullimi që do të lidhë bypass-in me rrugën kombëtare Sarandë–Himarë. Gjithashtu, është planifikuar që segmenti të ketë një lidhje të ardhshme me aksin Kardhiq–Delvinë, e cila do të trajtohet në një fazë tjetër.
Rruga do të shtrihet kryesisht në terren të pjerrët dhe të vështirë, ku parashikohen mure mbajtëse me dhe të armuar përgjatë një pjese të konsiderueshme të gjatësisë. Për siguri shtesë, në bankinë do të vendoset barrierë metalike, veçanërisht në zonat që sipas planeve urbanistike të Bashkisë Sarandë kanë perspektivë zhvillimi.
Raporti teknik i projektit thekson se terreni paraqet sfida për respektimin e parametrave rrugorë, por bypass-i shihet si një zgjidhje e domosdoshme për trafikun gjithnjë e më të rënduar të qytetit bregdetar. Përfundimi i këtij segmenti pritet të sjellë një lehtësim të dukshëm të lëvizjes dhe të rrisë standardet e infrastrukturës urbane dhe turistike në Sarandë.