Milani ka hedhur një hap konkret për të afruar Ardon Jasharin dhe është gati të paguajë deri në 35 milionë euro për transferimin e tij
Milani ka hyrë fuqishëm në garë për të siguruar shërbimet e mesfushorit shqiptar Ardon Jashari, i cili shkëlqeu gjatë sezonit të fundit me skuadrën belge Club Brugge. Performanca e tij ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, por kuqezinjtë duket se kanë kaluar në veprim konkret.
Sipas burimeve të afërta me tratativat, drejtuesit e Milanit kanë dorëzuar një ofertë zyrtare prej 27 milionë eurosh si pagesë fikse, duke shtuar edhe 3 milionë euro të tjera në formë bonusesh të lidhura me performancën e lojtarit. Megjithëse Club Brugge nuk ka shfaqur gatishmëri për ulje çmimi, klubi italian është i gatshëm të rrisë ofertën.
Mediat sportive italiane raportojnë se në rast se palët afrohen, Milani mund të shkojë deri në një ofertë totale prej 35 milionë eurosh për kartonin e Jasharit. Kjo shifër do ta bënte shqiptarin një nga transferimet më të bujshme të merkatos së verës për klubin nga Serie A.
Ajo që pritet të ndikojë vendimtar në përmbylljen e këtij operacioni është dëshira e vetë futbollistit. Jashari e shikon kalimin në “San Siro” si një hap të madh në karrierë dhe mundësi të artë për të spikatur në një kampionat më të fortë dhe me më shumë ekspozim ndërkombëtar.
Milani, i cili synon të rinovojë repartin e mesfushës pas largimeve të fundit, shikon te Jashari një profil të përshtatshëm për stilin e trajnerit të ri. Qëndrueshmëria fizike, shpërndarja e topit dhe vizioni në fushë janë pikat e forta të lojtarit, të cilat i bëjnë kuqezinjtë të bindur për investimin.
Nga ana tjetër, Brugge është në një pozicion të favorshëm, pasi lojtari është ende nën kontratë dhe nuk ka presion për ta shitur menjëherë, por oferta e Milanit po konsiderohet me seriozitet.
Ditët në vijim do të jenë vendimtare për të parë nëse Ardon Jashari do të bëhet pjesë e projektit të ri të Milanit, duke u bashkuar me një nga klubet më të mëdha të Evropës.