Debati në Kuvend mori tone të ashpra pasi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u rikthye në foltore për të sqaruar përdorimin e togfjalëshit “vithet e Ballukut”, që kishte shkaktuar polemika në seancat e mëparshme.
Ndaj këtij sqarimi reagoi deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, e cila iu drejtua drejtpërdrejt Berishës me një akuzë personale dhe politike:
“Si ka mundësi që vazhdon të djegësh Shqipërinë prej 30 vitesh vetëm për prapanicën tënde, të familjes tënde, të njerëzve të tu dhe nuk u lodhe për atë prapanicë ti?”
Deklarata u bë nga foltorja e Kuvendit dhe u shoqërua me reagime në sallë, ndërsa kryeparlamentari i tërhoqi vëmendjen deputetes për fjalorin e përdorur.
Përplasja erdhi në vijim të retorikës së ashpër mes mazhorancës dhe opozitës, me Berishën që kishte zgjedhur të mbrojë publikisht formulimin e përdorur më herët ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku.
Seanca u karakterizua nga akuza të drejtpërdrejta dhe gjuhë e fortë politike mes palëve.