Në Gjykatën e Posaçme po shqyrtohen akuzat penale ndaj të pandehurve të dosjes “Metamorfoza”, mes tyre edhe biznesmeni dhe investitori strategjik Pëllumb Gjoka. Në seancën e së hënës, SPAK kërkoi thirrjen e 40 dëshmitarëve, të cilët do të pyeten për vrasjen e Gjin Ndojit Boriçit në vitin 2020 në Vaun e Dejës dhe sigurimin e kushteve për të kryer vrasje ndaj Kleanthi Musabellit, krime të kryera në kuadër të grupit kriminal.
Seanca u shoqërua me debate të forta mes avokatëve të biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe prokurorëve të posaçëm.
Debati lidhej me mospërputhjen e orarit të bisedave në Sky ECC dhe orarit të vrasjes së Gjin Boriçit në gusht të vitit 2020.
“Nuk është i njëjtë orari i serverave të Sky ECC me orën lokale”, tha prokurori i posaçëm.
“Procesverbali i Pëllumb Gjokës është spostuar, është manipulim”, deklaroi Guri Brahimllari, avokat i biznesmenit.
Gjykata vendosi ta shtyjë seancën mbi kërkesën e avokatëve për kohë, që të njihen me përmbajtjen e provave. Në të njëjtin proces me Gjokën po gjykohen edhe Behar Bajri dhe Edmond Preka.