Meta në Strasburg? Opozita çon çështjen në instancat ndërkombëtare

Zv/presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka denoncuar ashpër arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta, duke e cilësuar si një veprim të paligjshëm dhe brutal.

Sipas saj, ky rast do të ndiqet në instanca ndërkombëtare për të vënë para përgjegjësisë autoritetet shqiptare.

Në një deklaratë publike, Xhixho njoftoi se Partia e Lirisë dhe Partia Demokratike po përgatisin një dosje për ta çuar çështjen në Komisionin për Torturën në Këshillin e Evropës dhe në Gjykatën e Strasburgut. Sipas saj, procedura e ndjekur ndaj Metës ka shkelur të drejtat themelore dhe normat ligjore.

“Ish-Presidenti Ilir Meta u rrëmbye në mënyrë banditeske gjatë arrestimit. Për këtë, do të japin llogari në instancat ndërkombëtare. Jemi në kontakt me partnerët tanë për të sqaruar shkeljet dhe abuzimet e bëra në këtë proces,” tha Xhixho.

Ndërkohë, opozita vijon të akuzojë qeverinë për veprime të paligjshme dhe për një fushatë të orkestruar ndaj Metës, duke argumentuar se procesi është politikisht i motivuar.

Nga ana tjetër, mazhoranca dhe përfaqësues të drejtësisë mbrojnë veprimet e institucioneve, duke theksuar se procesi është pjesë e luftës kundër korrupsionit dhe nuk ka asnjë prapavijë politike.

Çështja e Metës ka ndezur një tjetër përplasje të fortë mes mazhorancës dhe opozitës, duke rritur tensionet në skenën politike shqiptare. Përballja e ardhshme në Strasburg pritet të sjellë zhvillime të reja, ndërsa beteja ligjore për ish-presidentin vazhdon.

Ndaj Postimin: