Meta mbyll mbrojtjen në seancën paraprake, kundërshton akuzat dhe paraburgimin

Ish-Presidenti Ilir Meta ka përfunduar parashtrimet mbrojtëse në seancën paraprake të procesit penal ku ai, Monika Kryemadhi dhe tre persona të tjerë janë të pandehur.

Pas daljes nga Gjykata e Posaçme, avokati i Metës paraqiti qëndrimet e mbrojtjes ndaj akuzave të ngritura nga SPAK. Ndërkohë, në nisje të fjalës së tij në sallën e gjyqit, Meta u shpreh se i përket “2 Marsit”, duke iu referuar protestës së zhvilluar më 1 mars 2020.

Ai e cilësoi aktakuzën si një “pamflet politik”, pa arkitekturë juridike dhe të bazuar, sipas tij, mbi gënjeshtra dhe falsifikime.

Meta u ndal edhe te masa e paraburgimit, duke deklaruar se ajo është përdorur si mjet persekutimi politik dhe jo si instrument hetimor. Pavarësisht kërkesave të mëparshme për lirimin nga qelia, të tre shkallët e gjyqësorit i kanë rrëzuar ato.

Në seancë, ai kundërshtoi vlefshmërinë e letërporosive të ardhura nga SHBA për çështjen e lobimit të LSI-së, si dhe akuzat që lidhen me çështjen CEZ-DIA dhe hetimin pasuror.

Ilir Meta akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në lidhje me çështjet CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe hetimin pasuror. Monika Kryemadhi akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033