Meta 10 ditë tek 313-ta dhe më pas i bashkohet Salianjit në burgun e Fierit.

Ish-presidenti Ilir Meta, i arrestuar më 21 tetor nga SPAK, do të qëndrojë në paraburgimin nr. 313 në Tiranë për 10 ditë, për një periudhë vëzhgimi, përpara se të transferohet në burgun e Fierit.

Ndërkohë, Meta po qëndron në një qeli të vetme dhe pa mjete komunikimi. Pas përfundimit të kësaj periudhe, pritet të transferohet në Fier, ku edhe deputeti Ervin Salianji po vuan dënimin. Meta është akuzuar për “korrupsion pasiv” dhe për disa shkelje të tjera financiare nga SPAK.

Meta është duke kaluar periudhën e vëzhgimit, gjatë së cilës është vizituar nga drejtues të burgut dhe psikologë për të vlerësuar situatën e tij dhe për të shmangur konfliktet me të tjerët. Ky proces është standard për të gjithë të paraburgosurit, duke krijuar një profil të tyre për të siguruar bashkëjetesë të qetë në ambientet e burgut.

Meta ka shprehur dëshirën që pas periudhës së vëzhgimit të transferohet në burgun e Fierit, ku ndodhet edhe deputeti i PD-së Ervin Salianji dhe bashkëpunëtorë të tjerë politikë si Lefter Koka dhe Alqi Bllako. Meta e konsideron këtë burg më të sigurt për të dhe deklaron se aty “ndodhet opozita e vërtetë”.

Në burgun e Fierit, Meta do të bashkohet me ish-kolegë të politikës, të cilët gjithashtu janë përballur me akuza dhe dënime për çështje të lidhura me keqpërdorimin e pushtetit.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera