NGA MUKADES DERVISHI
Në Kishën Katolike të Shënjtërve Pjetri dhe Pali në Lushnjë, është mbajtur një meshë përshpirtjeje për nder të Papa Françeskut.
Besimtarët katolikë të qytetit iu bashkuan kësaj ngjarjeje të rëndësishme të mbajtur këtë të enjte, ku mesha u drejtua nga don Paulini, i cili shpjegoi me emocion dhe devotshmëri lidhjen e veçantë që kishim me Papa Françeskun. Ai theksoi se ndarja e Papa Françeskut nga jeta e përkohshme ndodhi një ditë pas festimit të Pashkëve, dhe ishte Zoti që e thirri për të kaluar në jetën e përhershme.
Mesha përshpirtjeje kishte si qëllim nderimin e figurës së Papa Françeskut, i cili la një pasuri të madhe shpirtërore dhe njerëzore. Besimtarët e shumtë të pranishëm, që ishin mbledhur për të nderuar kujtimin e Tij, ndezën qirinj pranë portretit të Papa Françeskut dhe lutën për shpirtin e Tij, duke shpresuar që Të gjejë paqe dhe bekim në botën e amshuar.
Ndërkohë, don Paulini në predikimin e tij përmendi gjithashtu rëndësinë e pranisë së Papa Françeskut në jetën e Kishës dhe ndikimin e tij të thellë në forcimin e besimit dhe unitetit katolik. Ai theksoi se figura e Papa Françeskut është një udhërrëfyes shpirtëror dhe një model të cilin besimtarët e pasojnë me devotshmëri në jetën e tyre të përditshme.
Mesha e mbajtur në Kishën Katolike të Shënjtërve Pjetri dhe Pali u mbajt në një atmosferë të ngrohtë dhe plot respekt, ku besimtarët u mblodhën për të reflektuar mbi jetën dhe veprat e Papa Françeskut. Ata u lutën për udhëzimin dhe forcën shpirtërore që u ofroi ai gjatë jetës së tij, si dhe për paqen dhe dashurinë që ai përhapte përmes veprimeve dhe mësimeve të tij.