Mesazhe mashtruese në WhatsApp, Policia e Shtetit apelon për mosndarje të të dhënave personale

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë ngritur alarmin për një fushatë mashtruese që po qarkullon në platformën “WhatsApp”, me qëllim përvetësimin e llogarive të përdoruesve përmes mashtrimit kibernetik.

Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik sqaron se mesazhet paraqiten si ftesa për të votuar në mbështetje të një personi të njohur, gjoja për fitimin e një burse falas. Sipas policisë, përhapja e këtyre mesazheve ndodh shpesh pasi një përdorues ka rënë më parë pre e mashtrimit dhe llogaria e tij është komprometuar.

Nëpërmjet këtyre mesazheve, përdoruesit orientohen drejt faqeve të rreme dhe nxiten të vendosin kode verifikimi, duke i dhënë autorëve akses në llogaritë e tyre në “WhatsApp”.

Policia u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, duke mos klikuar në lidhje të dyshimta, edhe kur ato dërgohen nga persona të njohur, dhe duke mos shpërndarë kode verifikimi, fjalëkalime apo të dhëna personale. Po ashtu, rekomandohet aktivizimi i verifikimit me dy hapa për rritjen e sigurisë së llogarisë.

Autoritetet bëjnë me dije se situata po monitorohet dhe se çdo rast i dyshimtë duhet të raportohet pranë Policisë së Shtetit. Qytetarët ftohen të jenë veçanërisht të kujdesshëm ndaj mesazheve që premtojnë përfitime të shpejta, çmime apo votime online.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033