“Merre lejen, do rrish në fushatë” – si u kthye administrata në makineri votash brenda dhe jashtë vendit

Në mëngjesin e 20 janarit 2025, një mesazh i shkurtër në telefonin e një zyrtari vendor në një bashki në jug të vendit shënoi nisjen e një “detyrë” të re. “Duhet që të marrësh lejen vjetore, do angazohemi në fushatë”, i shkruante eprori. Një ditë më pas, ai nënshkroi kërkesën për leje vjetore, por pushim nuk pati asnjë ditë.

Nga zyra kaloi në terren. Detyra e tij: mbledhja e të dhënave mbi votuesit dhe përkatësinë e tyre politike, në shërbim të shtabeve elektorale të Partisë Socialiste, që kishin nisur fushatën për zgjedhjet e 11 majit. Zyrtari, që pranon të identifikohet si Alban, e përshkruan punën si “krehje të listës së zgjedhësve”: analizim të çdo emri, ndarje të votuesve sipas prirjes politike dhe planifikim i qartë se kush duhej kontaktuar në ditën e votimit.

Albanit nuk ishte i vetëm. Të dhënat që BIRN ka siguruar përmes ligjit për të drejtën e informimit tregojnë se në periudhën janar–prill 2025 mijëra punonjës të administratës qendrore dhe vendore kanë marrë leje vjetore. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, numri i lejeve është rritur me afro 40% në shumicën e bashkive kryesore dhe në shumë institucione qendrore. Shifrat përputhen me dëshmitë për përdorimin masiv të administratës si instrument elektoral.

Sipas raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama ka përfituar avantazhe të padrejta nga përdorimi i burimeve publike dhe presioni ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të administratës. Misionet vëzhguese kanë regjistruar raportime për presion nga eprorët ndaj punonjësve bashkiakë për të mbështetur fushatën dhe kanë ngritur shqetësime serioze për rrjetet e patronazhit, të përdorura për të monitoruar dhe influencuar votën.

Për të matur përmasat e fenomenit, BIRN kërkoi statistika nga ministritë dhe bashkitë kryesore për lejet vjetore në periudhën janar–prill të viteve 2023, 2024 dhe 2025. Nga 20 institucione që u përgjigjën, rezulton se në katërmujorin e parë të vitit 2025 lejen vjetore e kanë marrë 5673 punonjës – rreth 40% më shumë se një vit më parë. Bashkia e Tiranës shënoi rritjen më të lartë, me rreth 30% më shumë leje, e ndjekur nga Ministria e Inovacionit dhe Kulturës dhe Ministria e Mjedisit. Në disa ministri, nga 5% deri në 33% e stafit ka qenë me leje në të njëjtën periudhë, ndërsa në disa bashki numri ka kaluar gjysmën e punonjësve.

Kuvendi i Shqipërisë rezultoi institucioni me më pak leje të raportuara. Kryeministria, nga ana tjetër, refuzoi të jepte statistika, duke deklaruar se nuk i disponon. Të dhënat tregojnë një rritje graduale të lejeve që nis në janar dhe kulmon në shkurt–mars, në përputhje me fazën më intensive të punës në terren për fushatën.

Një pjesë e kësaj pune është zhvendosur jashtë kufijve. Në fillim të fushatës, kryeministri Rama shpalli objektivin për të siguruar 900 mijë vota brenda dhe jashtë vendit. Për ta arritur, drejtuesit politikë të qarqeve u fokusuan fort te diaspora. Punonjës të administratës u organizuan në grupe që udhëtonin drejt Greqisë dhe Italisë, formalisht “me leje vjetore”, por praktikisht me mision elektoral.

“Më thanë: merre lejen dhe shko në Greqi. Duhet të takosh disa njerëz tanët atje,” kujton Mandi, një zyrtar i pushtetit vendor. Sipas tij, kanë udhëtuar 3–4 herë drejt Greqisë dhe për çdo udhëtim kanë marrë rreth 400 litra tollona karburanti. Tollonat shiteshin për të siguruar para për shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit. Një tjetër zyrtar, Genti, tregon se ka qëndruar gati tre javë në Athinë në janar 2025. Ai thotë se kanë ngritur zyra elektorale në disa zona dhe kanë përdorur lista votuesish dhe kontakte të siguruara nga familjarët në Shqipëri për të gjetur emigrantët. “Shkonim në banesa, i ndihmonim të regjistroheshin në platformën e KQZ-së. Ka qenë një punë kolosale, nga mëngjesi deri në darkë”, rrëfen ai.

Ekspertët e zgjedhjeve e shohin këtë si deformim të rëndë të barazisë së garës. Gerta Meta, drejtuese e Shoqatës për Kulturë Demokratike, paralajmëron se përdorimi i administratës për fushatë jo vetëm deformon rezultatin, por ushtron presion të drejtpërdrejtë mbi votuesit. Sipas saj, kur punonjësi i administratës është njëkohësisht “aktivist partie me detyrim”, qytetari ndodhet përballë një shteti që i kërkon votën për të ruajtur punën.

Rigels Xhemollari, nga “Qëndresa Qytetare”, kërkon rritje të sanksioneve për keqpërdorimin e postit publik dhe zgjatje të periudhës ku ndalohet përdorimi i burimeve shtetërore në fushatë, në përputhje me rekomandimet e OSBE-së. Ai thekson se pa mjete të forta ligjore dhe praktike, fenomeni rikthehet në çdo cikël zgjedhor.

Në një plan më afatgjatë, Meta nënvizon se zgjidhja qëndron te depolitizimi real i administratës: rekrutim me meritë, rol më i fortë i KQZ-së, Avokatit të Popullit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, si edhe mbrojtje konkrete për sinjalizuesit që denoncojnë presionin politik apo abuzimin me detyrën.

Afrim Krasniqi e përkufizon situatën si krizë që shkon përtej administrimit teknik të zgjedhjeve. Ai përmend modelin e Kosovës, ku zyrtarët që shkelin ligjin në procesin zgjedhor, përveç ndëshkimeve penale dhe financiare, humbin të drejtën për të ushtruar funksione publike për disa vite. Sipas tij, nëse përgjegjësia nuk ngjitet deri te titullarët e institucioneve publike, pra te ata që udhëzojnë përdorimin e burimeve shtetërore, firmosin emërime dhe shkarkime me motive elektorale dhe fryjnë administratën në kohë zgjedhjesh, sistemi do të mbetet i njëanshëm. “Titullarët as paguajnë, as penalizohen,” thotë ai, duke e quajtur këtë si tregues të qartë se sa thellë është deformuar raporti mes shtetit, administratës dhe zgjedhjeve.

Ndaj Postimin: