Krahas punonjësve të Policisë së Shtetit, oligarku Bashkim Ulaj ka angazhuar edhe kompaninë e sigurisë BREÇANI R.O.S.P. të ish-drejtuesit të Policisë Tiranë, Erzen Breçani, kundër banorëve të Rrjollit, të cilëve Ulaj u ka grabitur dhe zaptuar me forcë pronat e ligjshme dhe të konfirmuara me vendime gjykatash, për të ndërtuar një resort privat. Mercenarë të Erzen Breçanit, i arrestuar si pjesë e një grupi kriminal dhe që ka përfituar rreth 50 milionë euro tendera publikë, kanë sulmuar ditët e fundit banorët e Rrjollit, të cilët po mbrojnë pronat e tyre, të trashëguara brez pas brezi, nga zaptuesi Bashkim Ulaj.
Ditët e fundit, në përplasjen e radhës mes policisë dhe banorëve për resortin e Bashkim Ulajt, është shfaqur edhe një grup mercenarësh të Erzen Breçanit, të cilët sulmuan banorët e Rrjollit, duke angazhuar edhe qen pitbull. Ndërkaq, pamjet tregojnë një prej punonjësve të sigurisë private të punësuar nga Ulaj, rekrutuar nga Erzen Breçani, i cili ka qëlluar me grusht një djalë të ri që proteston për të mbrojtur tokën e tij.
Ky moment ka tensionuar më tej situatën, duke çuar në përplasje mes banorëve dhe policisë, por edhe me punonjësit e kompanisë së sigurisë BREÇANI R.O.S.P. Pas përplasjeve, mercenarët e Erzen Breçanit, i arrestuar nga SPAK si pjesë e grupit kriminal të Ervin Matës, janë shfaqur edhe me përforcime dhe me qen pitbullë.
Përplasjet mes banorëve të Rrjollit dhe policisë sa vijnë dhe bëhen më të ashpra dhe shkak për këtë prej gati një muaji është bërë resorti që ndërtuesi dhe botuesi Bashkim Ulaj po ndërton në zonë. Banorët pretendojnë se toka është pronë e tyre, se dokumentet janë falsifikuar nga Bashkim Ulaj dhe për këtë është ende i hapur një proces i gjatë gjyqësor.
Erzen Breçani u arrestua si pjesë e një grupi kriminal
Në nëntor të vitit 2023, me kërkesë të SPAK u arrestua ish-drejtuesi i Policisë Tiranë, Erzen Breçani, në kuadër të dosjes Metamorfoza 2, ku në kërkim u shpallën edhe djali i tij Eralbi Breçani si dhe Ervin Mata për trafik ndërkombëtar kokaine, grup kriminal, pastrim parash dhe sigurim kushtesh për të kryer vrasje. Breçani, i cili pasi Sali Berisha humbi zgjedhjet në vitin 2013 bëri thirrje për përmbysjen e Edi Ramës, pretendoi se i rrezikohej jeta në qeli dhe se vuante nga klaustrofobia. Në muajin shkurt 2024, ish-zyrtari i lartë i policisë u dërgua në spitalin e burgut pasi deklaroi se kishte frikë nga ambientet e mbyllura.
I akuzuar për pastrim parash, Erzen Breçani u lirua nga qelia në korrik të vitit 2024, duke u lënë në arrest shtëpie. Krahas mbështetjes ndaj Sali Berishës, daljeve si opinionist në televizion dhe akuzave për pastrim parash të lidhura me aktivitet kriminal, Erzen Breçani kishte dhe ka përfituar nga buxheti i shtetit përmes kompanisë BREÇANI R.O.S.P., e regjistruar në emër të vëllait të tij, Fatbardh Breçani.
Kompania e sigurisë fizike BREÇANI R.O.S.P., e themeluar në prill të vitit 2005, ka si administrator dhe pronar Fatbardh Breçanin, vëllain e Erzen Breçanit. Për shkak të lidhjeve politike dhe klienteliste, ka dyshime se pronari real i kompanisë është Erzen Breçani, ndërsa vëllai i tij figuron pronar në dokumente.
50 milionë euro tendera publikë
Nga viti 2013 deri më sot, kompania e Breçanit ka përfituar mbi 50 milionë euro para publike përmes tenderave të dyshimtë dhe të paracaktuar, kryesisht në bashkëpunim me kompani të tjera. Në 19 janar 2026, kompania ka fituar një tender nga Ujësjellësi i Tiranës me vlerë rreth 2.2 milionë euro, me ofertë shumë pranë fondit limit.
Përmes kompanisë BREÇANI R.O.S.P., Erzen Breçani kontrollon dhe një hidrocentral të quajtur “Drita Energy”, mbi lumin e Gashit, degë e lumit Valbonë. Hidrocentrali është ndërtuar në vitin 2019 me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit. Administrator i tij është Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit.
Eralbi Breçani është kunati i Ervin Matës, i konsideruar si një nga bosët e trafikut të kokainës. Që të dy janë shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal që dyshohet se drejtohej nga Ervin Mata.
Sipas dosjes së hetimit, paratë e trafikut të kokainës janë investuar në hidrocentralin “Drita Energy”, me administrator Eralbi Breçanin. Në një rast përmendet edhe një shumë prej 500 mijë eurosh që dyshohet se do të kalonte përmes një llogarie bankare të një personi të tretë. Nga ana tjetër, Erzen Breçani përmendet si këshilltar i djalit të tij në aktivitetet e dyshuara kriminale.
Ndërkaq, Enti Rregullator i Energjisë, me një vendim të marrë në vitin 2021, ka lejuar shitjen e energjisë së prodhuar nga HEC “Drita Energy” tek OSHEE përmes një procedure negocimi direkt përmes KESH-it, me një vlerë që arrin deri në rreth 6 milionë euro në vit.
Gjithashtu, Breçani është lejuar të shfrytëzojë edhe rreth 1.3 hektarë sipërfaqe në një zonë të parkut kombëtar, më shumë se sa parashikonte projekti i hidrocentralit, ku ishte planifikuar ndërtimi i një agro-resorti.
Sipas hetimeve, para publike dhe para të dyshuara nga aktivitet kriminal janë investuar në pasuri të paluajtshme. SPAK ka identifikuar disa pasuri që dyshohen si produkt i aktivitetit kriminal dhe ka kërkuar sekuestrimin e tyre. Mes tyre përfshihet edhe hidrocentrali “Drita Energy”, i cili është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme.