Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shprehu vendosmërinë e saj për të zbatuar marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët, duke siguruar se ajo do të funksionojë.
Gjatë fjalimit të saj në ceremoninë e 80-vjetorit të gazetës “Il Tempo”, Meloni theksoi se i ka marrë parasysh sfidat, por është e bindur se ato do të kapërcehen.
Ajo nënvizoi se ky pakt mes Italisë dhe Shqipërisë është një projekt i rëndësishëm që mund të ndryshojë mënyrën se si trajtohet emigracioni i paligjshëm. Sipas saj, ky projekt ka gjetur mbështetje të gjerë nga vendet e tjera europiane, që e kuptojnë rëndësinë e gjetjes së zgjidhjeve të reja për këtë sfidë globale.
Meloni vuri theksin te mbështetja e këtij projekti nga 14 vende anëtare të BE-së, duke e përfshirë atë në konkluzionet e fundit të Këshillit të BE-së. Ajo u shpreh qartë se marrëveshja është në përputhje të plotë me ligjin italian dhe evropian, duke theksuar se ata që e kundërshtojnë këtë zgjidhje nuk po ndihmojnë në frenimin e emigracionit të paligjshëm.
Ndërsa kritikoi një vendim të fundit të Gjykatës së Romës, Meloni sqaroi se ky vendim nuk lidhet vetëm me Shqipërinë, por prek të gjithë emigrantët e paligjshëm që mbërrijnë nga vende të ndryshme. Ajo është e vendosur të vazhdojë përpara me projektin, pavarësisht kundërshtimeve nga e majta italiane dhe europiane.
Në përfundim, kryeministrja theksoi se marrëveshja me Shqipërinë respekton plotësisht të drejtën europiane dhe se ajo do të bëjë gjithçka për të siguruar që ky projekt të zbatohet me sukses.