Mediat greke zbardhin detaje të reja për 64-vjeçarin shqiptar, akuza të rënda edhe nga vajza e tij

Mediat greke vijojnë t’i kushtojnë vëmendje rastit të rëndë në Kypseli, ku një 64-vjeçar shqiptar dyshohet për tentativë përdhunimi ndaj një 25-vjeçareje me aftësi të kufizuara brenda banesës së saj.

Sipas raportimeve, rasti ka marrë përmasa edhe më të rënda pas deklaratave të vajzës së 64-vjeçarit, e cila ka pretenduar se është abuzuar seksualisht nga i ati kur ishte vetëm 7 vjeçe.

Në një intervistë për median greke, ajo ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur në Shqipëri, në një moment kur pjesëtarët e tjerë të familjes nuk ndodheshin në shtëpi.

“Kur isha 7 vjeçe, babai më përdhunoi. Nuk e denoncova kurrë sepse kisha frikë”, është shprehur ajo, duke shtuar se për vite me radhë e ka mbajtur sekret këtë ngjarje.

Sipas saj, kur ka tentuar ta denoncojë më vonë, është përballur me mungesë mbështetjeje nga familjarët, ndërsa ka ndërprerë kontaktet me ta.

Ndërkohë, 64-vjeçari mbetet në arrati pas denoncimit për tentativë përdhunimi ndaj 25-vjeçares në Kypseli.

Sipas dëshmisë së nënës së vajzës me aftësi të kufizuara, ajo është kthyer në shtëpi pas një mungese të shkurtër dhe ka gjetur burrin duke ngacmuar seksualisht vajzën e saj. Ajo ka ndërhyrë duke e goditur me një tigan, ndërsa autori dyshohet se ka reaguar me dhunë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Ekzaminimi mjeko-ligjor, sipas raportimeve, nuk ka konstatuar shenja përdhunimi, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Autoritetet greke po vazhdojnë kërkimet për arrestimin e 64-vjeçarit dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e tij.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033