Bashkimi Evropian duhet të heqë dorë nga ideja se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, është një garantues i stabilitetit rajonal, vlerësojnë mediat gjermane. Sipas tyre, Vuçiç ka mundur të ketë pasur një rol të tillë dikur, por tani, në mes të krizës së brendshme që po përballet, mund të bëhet një kërcënim për të gjithë rajonin.
Në një analizë të publikuar në gazetën Welt, gazetarët theksuan se protesta masive në Beograd kundër qeverisë së Vuçiçit, që ka zgjatur për javë të tëra, ka ngjallur shqetësime të mëdha. Lufta e studentëve, që tani është mbështetur nga shtresa të gjera të shoqërisë, është shoqëruar nga akuza për përdorim të forcës nga policia, duke shtuar dyshimet për përdorimin e armëve speciale. Kjo mund të ndryshojë në mënyrë dramatike dinamiken politike të vendit, duke rritur frikën për destabilizim të mëtejshëm.
Gazeta Tagesspiegel ka nënvizuar se korrupsioni është bërë një nga arsyeja kryesore që ka ndezur protestat në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre, korrupsioni, ndonëse mund të duket si një fenomen i përhapur dhe i padëmshëm, është një forcë e dhunshme që ka sjellë ndarjen e besimit të qytetarëve ndaj shtetit. Ky korrupsion është shtrirë edhe në periudhën pas rënies së Jugosllavisë, duke krijuar një kulturë të dhunshme dhe të përhapur të pasigurisë dhe shkatërrimit të besimit tek shteti.
Në një kohë kur besimi ndaj institucioneve të BE-së ka rënë gjithashtu, shkrimi vazhdon duke vënë në dukje se frika dhe frustrimi janë të dukshme jo vetëm në Serbi, por edhe në shtete të tjera të Ballkanit, përfshirë Kroacinë. Korrupsioni vazhdon të lulëzojë edhe në shtetet e BE-së, dhe ky është një fakt që po thellon humbjen e besimit nga qytetarët ndaj politikës dhe institucioneve.
Mediet zvicerane, si Zücheritung, kanë raportuar se, ndërsa në Serbi të rinjtë po marshojnë pa dhunë për të protestuar kundër korrupsionit dhe dështimit shtetëror, disa qindra kilometra më tutje në Rumani, qytetarët po kthehen në mbështetje të grupeve ekstremiste të djathta. Kjo përbën një tjetër shembull të krizës politike që ka përfshirë shumë shtete të Europës Juglindore.
Andreas Ernst, autori i artikullit, thekson se këto fenomene janë rezultat i një distancimi të thellë të qytetarëve nga një klasë politike që nuk arrin të përmbushë premtimet dhe që kontrollohet nga korrupsioni. “Diçka po zihet në Ballkan,” thotë ai, duke paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet nëse politikat e pashembullta të BE-së vazhdojnë të injorojnë këto probleme serioze.
Sa i përket Serbisë, ekspertët thonë se BE duhet të heqë dorë nga mendimi se Vuçiç është një faktor i stabilitetit rajonal. Ai mund të ketë pasur këtë rol dikur, por tani që po përballet me krizë të brendshme, Vuçiç mund të bëhet një rrezik për rajonin, përfshirë për Bosnjën dhe Kosovën. Ai ka ndikim të drejtpërdrejtë përmes aleatëve të tij në Republikën Srpska dhe në veri të Kosovës, dhe çdo krizë e hapur mund të shërbejë si një justifikim për të ndaluar lëvizjen e studentëve dhe protestat që kërkojnë ndryshime.
Në përfundim, analistët shprehen se është e nevojshme që Bashkimi Evropian dhe SHBA të mbajnë vigjilencën e duhur dhe të ndërmarrin veprime të shpejta për të parandaluar përshkallëzimin e krizave që mund të rrezikojnë stabilitetin e rajonit, përfshirë mundësinë e një destabilizimi të mëtejshëm të Serbisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.