Një foto e realizuar jashtë ambienteve të Spitalit Rajonal të Durrësit tregon momentin kur një efektiv i Policisë së Burgjeve ndjek me vrap të arratisurin Altin Ndoci, i cili arriti të largohej mesditën e kësaj të marte.
Në pamje shihet efektivi i Policisë së Burgjeve i vetëm, teksa mban në dorë pistoletën e shërbimit dhe përpiqet të ndalojë të burgosurin e arratisur. Sipas informacioneve të deritanishme, Altin Ndoci e ka goditur me grusht efektivin shoqërues brenda ambienteve të spitalit, duke përfituar nga momenti për t’u larguar me vrap jashtë godinës.
Altin Ndoci ndodhej prej dy ditësh i shtruar në repartin e Infektivit të Spitalit të Durrësit, ku po merrte ndihmë mjekësore për disa probleme shëndetësore të shfaqura ditët e fundit.
Mesa duket, kjo “vizitë” në spital është shfrytëzuar prej tij si mundësi për t’i shpëtuar drejtësisë. Sipas burimeve, Ndoci u kishte kërkuar efektivëve të Policisë së Burgjeve që ta shoqëronin për në tualet. Ai ishte shoqëruar nga dy punonjës policie dhe, sapo ka dalë nga ambientet e tualetit, i ka sulmuar fizikisht, duke arritur të arratiset nga kati i tretë i spitalit.