Një tentativë për të kaluar kufirin me municion luftarak dhe armë të ftohta është goditur nga Policia Kufitare në Morinë, e cila ka arrestuar në flagrancë një shtetas 39-vjeçar nga Kosova.
Shërbimet kufitare, pas analizës së riskut, kaluan në kontroll të thelluar automjetin që drejtohej nga M. L., në hyrje të territorit shqiptar. Gjatë kontrollit, policia zbuloi 2 karikatorë me fishekë, 2 thika, 1 sëpatë dhe 1 shkop metalik të ngjashëm me atë të Policisë.
Të gjitha sendet u sekuestruan si prova materiale, bashkë me automjetin. Pas përfundimit të veprimeve hetimore, 39-vjeçari u arrestua në flagrancë.
Ai do të përballet me akuzat për “Trafikimi i armëve dhe i municionit” si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.