Më 9 mars nis gjyqi ndaj Erion Veliajt, 13 akuza në dosje

Më 9 mars, në orën 09:30, do të nisë gjyqi për dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Seanca e parë e themelit është caktuar nga gjyqtarja Engjellushe Tahiri.

Trupi gjykues do të kryesohet nga Tahiri, ndërsa relatorë do të jenë gjyqtaret Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj.

Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme vendosi kalimin për gjykim të dosjes ndaj Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe 28 personave dhe shoqërive të përfshira në të njëjtin proces.

Erion Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. SPAK ka ngritur ndaj tij 13 akuza, mes tyre korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.

Sipas SPAK, akuzat për korrupsion pasiv lidhen me përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme nga kompani që kanë marrë leje ndërtimi ose fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.

Biznesmenët e përfshirë akuzohen për korrupsion aktiv, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës, ndërsa gardiani i burgut të Durrësit, Fatjon Baci, akuzohet për futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033