Mbyllet cikli i dëgjesave me fermerët, Salla nga Fieri: Skema Kombëtare 2026 do të ndërtohet mbi nevojat reale të terrenit

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka përmbyllur në Fier turin kombëtar të dëgjesave me fermerët, një proces konsultimi që ka shtrirë Ministrinë në të gjithë vendin për hartimin e Skemës Kombëtare të Mbështetjes për vitin 2026.

Procesi nisi në Librazhd dhe u zhvillua në të gjitha qarqet e Shqipërisë, përmes 23 takimeve në terren, ku fermerët kanë paraqitur drejtpërdrejt problematikat, kërkesat dhe propozimet e tyre lidhur me mbështetjen financiare dhe politikat bujqësore. Sipas Ministrisë, ky tur ka shërbyer për të krijuar një pasqyrë të detajuar të nevojave reale të sektorit.

Duke folur në takimin përmbyllës në Fier, ministri Salla theksoi se faza e konsultimit është mbyllur dhe se puna po hyn në etapën finale të hartimit të skemës së re. Ai nënvizoi se çdo sugjerim i ardhur nga fermerët po analizohet dhe do të reflektohet në paketën financiare dhe masat mbështetëse që pritet të prezantohen së shpejti.

Salla theksoi se nga takimet e zhvilluara është evidentuar qartë nevoja për rishikim të kritereve, zgjerim të përfitimit dhe orientim më të drejtë të fondeve, me synim që mbështetja të jetë më efektive dhe më e përafruar me standardet e Bashkimit Europian. Sipas tij, Skema Kombëtare 2026 do të bazohet mbi analizën konkrete të terrenit dhe jo mbi modele formale.

Në fjalën e tij, ministri vuri theksin edhe te roli i bashkëpunimit institucional për zhvillimin e bujqësisë, duke theksuar se rezultatet varen nga funksionimi i përbashkët i fermerëve, qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor.

Skema e re Kombëtare do të nisë me një buxhet fillestar prej 5.2 miliardë lekësh, rreth 16 për qind më i lartë krahasuar me vitin e kaluar. Ajo do të shoqërohet me instrumente të kombinuara financiare, përfshirë kredi të buta me interes deri në 2 për qind, të mbështetura nga garancia shtetërore deri në 70 për qind, si dhe masa për kompensimin e TVSH-së.

Sipas Ministrisë, qëllimi i skemës së re është ulja e kostove të prodhimit, nxitja e formalizimit dhe rritja e vlerës së produkteve bujqësore shqiptare në tregun vendas dhe atë të eksportit. Procesi i përpunimit të sugjerimeve të fermerëve vijon, ndërsa Skema Kombëtare 2026 pritet të prezantohet zyrtarisht në ditët në vijim.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033