Sekretariati i Etikës në Kuvendin e Shqipërisë do të mblidhet sot në orën 10:00 për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për masa disiplinore ndaj deputetëve të Partisë Demokratike, pas ngjarjeve të ndodhura në seancën plenare të 18 dhjetorit.
Mbledhja vjen pas shtyrjes së seancës së mëparshme, kur deputetët e opozitës kërkuan të njiheshin me provat lidhur me incidentet e raportuara në sallën e Kuvendit. Mazhoranca i ka kërkuar gjithashtu Prokurorisë të verifikojë nëse ka vend për nisjen e hetimeve ndaj deputetëve Flamur Noka dhe Klevis Balliu, për përplasje fizike me punonjës të Gardës së Republikës.
Sipas Partisë Socialiste, aktet e dhunës në Kuvend ishin të organizuara dhe të drejtuara nga drejtues të Partisë Demokratike, përfshirë kryetarin Sali Berisha, si dhe deputetët Flamur Noka dhe Gazment Bardhi.
Në kërkesën e paraqitur, PS propozon përjashtim 60-ditor nga punimet e Kuvendit për Flamur Nokën dhe Klevis Balliun, si dhe për Sali Berishën dhe Gazment Bardhin, të cilët mazhoranca i cilëson si organizatorë të ngjarjeve. Po ashtu, kërkohet përjashtim për deputetët Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata, për përdorimin e mjeteve tymuese në sallë.
Ndërkohë, për 19 deputetë të tjerë të opozitës, të cilët sipas mazhorancës rrethuan foltoren gjatë seancës, kërkohet përjashtim 10-ditor nga punimet parlamentare.
Komisioni i Etikës pritet të shqyrtojë kërkesat dhe provat përkatëse për të vendosur mbi masat disiplinore që do të merren.