Mblidhet Grupi i Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” !

Një ditë më parë, Grupi i Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” zhvilloi një sesion informues në prani të përfaqësuesve të UNICEF-it dhe të znj. Ingrid Macdonald, Koordinatore e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.

Gjatë këtij takimi, diskutimet u përqendruan në forcimin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, rolin mbikëqyrës të Parlamentit në këtë fushë, bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe strategjitë kombëtare dhe ndërkombëtare për garantimin e të drejtave të fëmijëve.

U theksua se mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe krijimi i një mjedisi të sigurt dhe mbështetës për çdo fëmijë, ku ata të mund të rriten dhe të zhvillojnë potencialin e tyre, përbën një përgjegjësi dhe angazhim të përbashkët të shoqërisë, institucioneve shtetërore dhe organizatave ndërkombëtare.

Pjesë e këtij grupi janë edhe dy deputetet e Qarkut Lushnjë, Kiduina Zaka dhe Asfloral Haxhiu, të cilat kontribuojnë në nismat parlamentare në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.

Gjatë sesionit u prezantuan edhe të dhëna mbi situatën aktuale të fëmijëve në vend, si dhe praktika të mira të mbështetura nga UNICEF. U diskutua nevoja për forcimin e legjislacionit dhe mekanizmave të monitorimit për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, abuzimi dhe përjashtimi social.

Deputetët ritheksuan angazhimin e tyre për të mbështetur politika gjithëpërfshirëse në shërbim të fëmijëve. Takimi shërbeu gjithashtu si një platformë për shkëmbimin e ideve dhe përvojave. Në përfundim, u nënvizua rëndësia e vazhdimësisë së këtyre sesioneve për të garantuar mbrojtje efektive të të drejtave të fëmijëve.

N&Gj

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033